Trump: Çelësi i Sirisë do të jetë në duart e Turqisë. Nuk e keni dëgjuar askënd të thotë këtë, por është kështu

Donald Trump, i zgjedhur si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke komentuar zhvillimet e fundit në Siri, deklaroi: “(Presidenti Recep Tayyip Erdoğan) është një njeri shumë i zgjuar dhe shumë i fuqishëm.”
Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Mar-a-Lago, Florida, Trump bëri deklarata lidhur me zhvillimet e fundit që çuan në përmbysjen e regjimit të Bashar al-Asadit në Siri. Trump tha: “Turqia është shumë e zgjuar. (Presidenti Erdoğan) është një njeri shumë i zgjuar dhe shumë i fuqishëm. Mund të them se Asadi është një kasap për atë që u ka bërë fëmijëve.”
Duke theksuar se SHBA-ja mund të bashkëpunojë me Turqinë në rajon, Trump iu përgjigj një gazetari që pyeti: “Çfarë do të bëni për 900 ushtarët amerikanë të pranishëm në Siri?” me fjalët: “Duhet të ketë një mënyrë tjetër për ta bërë këtë. Njëra prej tyre është Turqia.”
Trump e cilësoi Turqinë si “një fuqi të rëndësishme” dhe shtoi: “(Presidenti) Erdoğan është dikush me të cilin kam marrëdhënie të mira. Ai ka një forcë të madhe ushtarake. Dhe kjo forcë nuk është konsumuar në luftëra. Ai ka krijuar një ushtri shumë të fortë dhe efektive.”
“Çelësi i Sirisë do të jetë në duart e Turqisë”
Trump dha mesazhin se SHBA-ja mund të jetë më efektive në Siri duke bashkëpunuar me aleatin e saj në NATO, Turqinë.
Ai argumentoi se forcat që përparojnë në Siri mbështeten nga Turqia dhe tha se kjo nuk është problem për të: “Çelësi i Sirisë do të jetë në duart e Turqisë. Nuk e keni dëgjuar askënd të thotë këtë, por është kështu,” deklaroi ai./Anadolu/
Teksti u përkthye dhe u përshtat nga Mitropol.