Familja e Zanës kërkon drejtësi për vajzën që polici civil ua shkeli për vdek*je në vija të bardha (VIDEO)

Familja Gjevukaj ka reaguar përmes një deklarate për media lidhur me rastin tragjik të Zanës, e cila humbi jetën më 4 maj 2025, pasi u godit nga një zyrtar policor në vijat e bardha. Ajo qëndroi për 34 ditë në kujdes intensiv, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Në deklaratë, familja thekson se i dyshuari, edhe psezyrtar i rendit, ndodhet ende në arrest shtëpiak që nga dita e aksidentit – tashmë për tre muaj me radhë – dhe masa nuk është ndryshuar në paraburgim, pavarësisht se kanë kaluar dy muaj nga vdekja e Zanës.
“Jemi thellësisht të zhgënjyer. Arresti shtëpiak për një rast me pasojë vdekje është i papranueshëm,” thuhet në deklaratë, duke vënë në pah mungesën e reagimit të institucioneve të drejtësisë.
Familja kritikon edhe aktakuzën e ngritur nga prokuroria, duke theksuar se ajo nuk reflekton seriozitetin e rastit dhe nuk përfshin asnjë nga rrethanat rënduese. Sipas ekspertizës, Zana është goditur në vijat e bardha nga një makinë që udhëtonte me shpejtësi të tejkaluar dhe pa asnjë përpjekje për frenim. Një veturë tjetër që kishte ndalur për t’i dhënë përparësi e vërteton se viktima ishte e dukshme dhe me përparësi të plotë.
“Jemi të bindur se nëse ky rast nuk do të përfshinte një zyrtar policie, drejtësia do të kishte vepruar ndryshe,” thekson familja Gjevukaj.
Në fund, familja bën thirrje për vetëdijesim publik dhe institucional, duke theksuar se rastet e drejtimit të rrezikshëm të automjeteve, veçanërisht ato me pasoja fatale, duhet të trajtohen me seriozitet të plotë dhe përgjegjësi ligjore./Mitropol/
Deklarata e plotë e familjes së të ndjerës:
DEKLARATË PËR MEDIA
26 qershor 2025
Zana ndërroi jetë më 4 maj 2025, pasi u godit në vijat e bardha nga një zyrtar policor. Ajo vdiq pas 34 ditësh në qendrën intensive në Prishtinë.
I dyshuari ndodhet në arrest shtëpiak që nga dita e aksidentit, tashmë 3 muaj. Edhe pse kanë kaluar 2 muaj nga vdekja e Zanës, masa nuk është ndryshuar në paraburgim.
Ne kemi pritur me durim dhe në heshtje që organet e drejtësisë të veprojnë me përgjegjësi dhe ndershmëri. Por kjo nuk ka ndodhur.
Si familje e viktimës, jemi thellësisht të zhgënjyer nga kjo qasje. Arresti shtëpiak për një rast me pasojë vdekje është i papranueshëm.
Po aq shqetësuese është edhe aktakuza e ngritur, e cila nuk pasqyron seriozitetin e rastit dhe nuk përfshin asnjë nga rrethanat rënduese. Zana u godit në vijat e bardha, nga një zyrtar policor me shpejtësi të tejkaluar dhe pa asnjë frenim, siç vërteton ekspertiza. Një veturë tjetër kishte ndalur për t’i dhënë përparësi, që tregon se Zana ishte e dukshme dhe me përparësi të plotë. Mospërfshirja e këtyre fakteve në aktakuzë e bën trajtimin institucional edhe më shqetësues.
Jemi të bindur se nëse ky rast nuk do të përfshinte një zyrtar të policisë, drejtësia do të kishte vepruar ndryshe.
Shpresojmë që ky rast të shërbejë si një vetëdijesim publik dhe institucional që rastet e drejtimit të rrezikshëm të automjeteve, veçanërisht ato me pasoja fatale, të trajtohen me seriozitetin maksimal dhe me përgjegjësinë e duhur ligjore. Asnjë uniformë nuk duhet të mbrojë askënd nga drejtësia.
Familja Gjevukaj
KUJDES – PAMJE TË NDJESHME ⚠️







