Active 2
KOSOVËLAJME

NATO ekskluzivisht për Mitropol: Normalizimi i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës janë çelësi i konsolidimit të stabilitetit në rajon

Në Hagë të Holandës u mbajt Samiti i NATO-s i cili grumbulloi 32 shtete anëtare të martën dhe të mërkurën.

Në një intervistë ekskluzive për “Mitropol, Zëvendëssekretarja gjenerale e NATO-s, Radmila Shekerinska ka folur për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës si shtet në NATO.

Weelnes

Shekerinska ka thënë se anëtarësimi në NATO zakonisht nuk është i lehtë dhe as i shpejtë – dhe nganjëherë kërkon që të kapërcehen disa pengesa politike.

“Sa i përket kësaj çështjeje, ne e kemi vlerësuar shumë faktin që institucionet e ndryshme në Kosovë kanë qenë shumë mbështetëse ndaj këtij qëllimi dhe kemi punuar vërtet shumë për të rritur komunikimin dhe bashkëpunimin tonë. Prania jonë atje me KFOR-in flet shumë për përkushtimin tonë ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor, por gjithashtu edhe ndaj sigurisë së Kosovës.”, ka thënë ajo.

Tutje Zëvendës-sekretarja e NATO-s, ka thënë se për të ecur përpara duhet të zgjidhen disa çështje, përfshirë edhe dialogun Kosovë- Serbi.

“Ne e mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës. Kemi mbështetur përpjekjet e përfaqësuesit të mëparshëm të posaçëm, dhe mbështesim përpjekjet e përfaqësuesit të ri, dhe besojmë se normalizimi i marrëdhënieve do t’u hapë rrugë edhe vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën që të ecin përpara me këtë vendim. Por fokusi ynë kryesor është investimi në stabilitet – dhe kjo kërkon zgjidhjen e disa çështjeve politike.”, u shpreh tutje ajo.

Sekerinska tha se rrugëtimi për anëtarësimin e Kosovës në NATO nuk do të jetë i lehtë, por mbështetja nuk do të mungoj.

“Pra, nuk është e lehtë. As nuk është gjithmonë rrugë e drejtë. Ka çështje të vështira që duhet të zgjidhen.
Por më beso, gjatë këtij rrugëtimi do të keni mbështetje për të bërë gjënë e duhur dhe për të zgjidhur këto çështje politike.”, përfundoi ajo.

Gazetari i Mitropol, Urall Boshnjaku ka qenë i vetmi gazetar i akredituar nga mediet shqipe nga Kosova i cili ka mbuluar drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht ngjarjen që konsiderohet si ngjarja kryesore e sigurisë në botë./Mitropol/

Active