
Pavarësisht njoftimit nga organizatat serbe se sot do të ngriheshin bllokadat në pikat kufitare të Mitrovicës, situata në veri është e qetë dhe qarkullimi vijon normalisht.
Kjo u raportua për A2 CNN nga gazetari Tomor Avdia sipas të cilit ka pasur tentativa për bllokim në Merdarë, por qarkullimi nuk është ndërprerë dhe sipas policisë gjithçka është nën kontroll.
Nga Bërnjaku, ai tha se në të katër komunat në veri nuk ka patur protesta apo bllokada sikurse ishte paralajmëruar.
“Në 4 komunat veriore të vendit nuk ka patur organizime për protesta, apo bllokada që janë paralajmëruar ditët e fundit. Qarkullimi ka vijuar normalisht por me intensitet më të ulët dhe nuk ka pasur tentativa për bllokim të rrugës. Ka pasur tentativa në Merdarë, por qarkullimi nuk është ndërprerë dhe sipas policisë gjithçka vijon normalisht dhe policia ka gjithçka nën kontroll”, raportoi ai.
Sipas tij, ajo çka është deklaruar ka qenë një tentativë për të dëmtuar imazhin dhe sigurinë e Kosovës, por deri më tani nuk është shënuar asnjë incident.
“Policia e Kosovës vijon të jetë vigjilente, por deri tani nuk ka asnjë incident apo bllokadë dhe qarkullimi vijon normalisht. Ka qenë një tentativë e organizatave e grupeve kriminale për të tensionuar situatën mes dy vendeve pas vizitave të disa aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe duket si një tentativë për të nxitur tensionet. Por ajo çfarë u pa është se nuk u arrit qëllimi i këtyre grupeve kriminale. Ka qenë si reklamë e keqe për imazhin dhe sigurinë tonë”.