“Boll mirë e paske cek, kompania serbe, kesh sot në Elektrosever, askund naj simbol i Kosovës, krejt të Serbisë, kujt po i paguhet rryma?”

Sot është raportuar se qytetarët e katër komunave veriore do të marrin faturat e llogaritura “paushall” prej 21.60 euro për rrymën elektrike.
Lidhur me këtë çështje “Mitropol” pati raportuar rreth një javë më parë, se muaji mars pra do të jetë muaji që pas 24 viteve qytetarët e veriut do të fillojnë të paguajnë për energjinë elektrike.
Pagesat për rrymë elektrike qytetarët e veriut duhet t’i kryejnë tek zyret e kompanisë serbe “Elektrosever”.
Në artikullin e “Mitropol” ku njoftohet rreth pagesave të rrymës eletrike për banorët e veriut, qytetarët kanë shprehur shqetësim, duke ngritur edhe dyshime se kujt po i paguhet energjia elektrike, Kosovës apo Serbisë.

Përndryshe, Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije). Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor 2023.
Për këtë marrëveshje pati reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
“Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës. Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasiqë pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën. Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë”- ishte shprehur Bislimi në një shkrim në Facebook.
Nga zyrtarët e Elektrosever u njoftua se banorëve të katër komunave veriore fillimisht do faturohet rryma elektrike me një paushall prej 25 eurosh për lokale dhe 20 euro për shtëpi, shumë kjo e cila është shumëfish më e ulët se shumat të cilat i paguajnë qytetarët e jugut për furnizim me energji në KEDS./Mitropol/








