Borrell: Tejet i alarmuar me arrestimet e jashtëligjshme të serbëve në veri dhe marshimin e FSK-së në Mitrovicë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është shumë i alarmuar nga situata e re në veri të Kosovës, të premten. Ai është ankuar për “arrestime të jashtëligjshme të serbëve në Kosovë” e “marshimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës” në Mitrovicën e Jugut.
“Shumë i alarmuar rreth situatës në veri të Kosovës: Arrestime jashtë juridiksionit të serbëve të Kosovës dhe marshimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut; pasuar nga retorika e ashpër e Serbisë. Pavarësisht takimit të krizës dje, eskalimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”, ka shkruar ai në Twitter.
Të premten në veri, Policia e Kosovës arrestoi një serb nën dyshimin për përfshirje në sulm e rrezikim të anëtarëve të KFOR-it më herët gjatë protestave.
Për marshimin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut, vetë FSK-ja ka thënë se për të ka qenë i njoftuar edhe Komandanti i Batalionit të KFOR-it.
Një ditë më parë, Borrelli priti në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet përfunduan pa rezultat. Në konferencën për media pas takimeve, Borrelli ka thënë se pati “pajtim për nevojën për zgjedhje të reja”.
Edhe në këtë konferencë, Borrelli ka kërkuar “hetim të detajuar” për trajtimin e serbëve të arrestuar, ndërsa kërkoi lirimin e tre policëve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.








