TEB
OP-ED

Boshllëqe të shumta, sistemi shëndetësor në Kosovë për faqe të zezë

Tash e 26 vite që nga përfundimi i luftës sistemi shëndetësor në Kosovë është për faqe të zezë. Shëndetësia në Kosovë po përballet me disa mungesa, duke përfshirë mungesën e barnave esenciale, mungesën e aparaturave, mungesëm e stafit shëndetësorë, mungesa e decentralizimit, mungesa e vet objekteve spitalore, mungesa e digjitalizimit e shumë të tjera. Me fjalë të tjera sistemi shëndetësor i Kosovës është nën nivel. Përveç që të tretë sëmundja, përballja me mungesa të tilla të shuan krejtësisht. Në mesin e shumë problemeve të shëndetësisë në Kosovë, tri prej të cilave janë më kyçe përfshihen: mungesa e stafit, mungesa e aparaturave dhe mungesa e barnave esenciale.

Liri

Pavarësisht çfarëdo problemi apo mangësie në sistem shëndetësor, kur nuk ka mjekë e staf shëndetësor, ai spital shndërrohet në labirint. Me studiu më shumë se 6 vite e në fund mos me pasë një vend pune të denjë është për keqardhje, sidomos kur bëhet fjalë për një profesion të shenjtë si ai i mjekut.

TEB

Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK) dhe Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK) sistemi shëndetësor në një kohë të afërt do të pësojë krizë të madhe si shkak i mungesës së mjekëve e infermierëve, largimi i të cilëve po ndodhë për disa arsye. Ikja e stafit shëndetësor po vie si shkak i papunësisë, pagave të ulëta si dhe mungesës së kushteve të punës.

Në anën tjetër, po të jetë stafi shëndetësorë nëpër spitalet e Kosovës mungojnë aparaturat e nevojshme për trajtim. Në të shumtën e rasteve ka mungesa të aparaturave, por shpeshherë qytetarëve të Kosovës që kanë nevojë për trajtim u rëndohet gjendja edhe më shumë kur u thuhet se aparaturat nuk janë funksionale,  e terminet për trajtim ose nuk u bëhen fare ose janë të caktuara muaj më vonë. Për shembull Kosova jonë e dashur me rreth 2 milionë banorë, ka vetëm një aparaturë të rezonancës magnetike prej së cilës varen të gjithë banorët e vendit. Në vendin tonë edhe mos me pasë hiç sëmundje, sëmuhesh vetëm duke prit për terminin pas 6 muajve a një viti se nga të gjitha spitalet e vendit, vetëm në atë qendrorin gjendet aparatura.

Veç imagjino të jesh në gjendjen më të dobët shëndetësore, dashtë a pa dashtë detyrohesh të dalësh e t’i blesh barnat – medikamentet e nevojshme për t’u trajtuar. Mund të tinglloj absurde por ja që diçka e tillë ndodhë në Kosovë, madje mjaft shpesh. Faji e përgjegjësia për gjendjen e tillë pasohet sa nga njëri tek tjetri. Qeveria e Kosovës në vitin 2024 ka ndarë 60 milionë euro për furnizim me barna, apo thënë ndryshe buxheti më i ulët në rajon i ndarë për këtë aspekt.

Mjekëve, infermierëve e edhe stafit shëndetësor e vetmja zgjidhje që mund t’u ofrohet është plotësimi i kushteve themelore, e që janë pagat dhe plotësimi i nevojave për kryerjen e punës së tyre ashtu siç duhet. Pa dyshim që mjeku “ka me të ik” prej Kosovës kur paga bruto e një mjeku specialist në Kosovë është 1200 euro e në Gjermani për të njëjtën punë paguhet deri në 4000 euro. Koeficienti i pagave duhet të rritet në mënyrë urgjente nga Qeveria. Çfarëdo lloj arsyetimi nuk vlenë sepse nëse nuk u ofrua zgjidhje për 26 vite për të njëjtin problem, të shuhen shpresat se nuk bëhet asnjëherë.

E për të mos u vështirësuar punën stafit shëndetësor, e për t’ua lehtësuar e shpejtuar trajtimin pacientëve, duhet furnizuar me pajisje të reja qendrat spitalore. Problemi i tillë mund të zgjidhet duke ndarë një buxhet më të lartë për blerje të pajisjeve por edhe ndarja e tij të jetë më e balancuar. Në një nga vitet paraprake buxheti për pajisje të QKUK-së ishte 2.5 milon euro e për të gjitha spitalet e rajoneve rreth 950,000 euro. Mënyrë tjetër për zgjidhjen e problemit si për aparatura ashtu edhe për barna është bashkëpunimi më i madh me organizata ndërkombëtare. Që problemi i mungesës së barnave të evitohet, duhet verifikuar edhe ndaluar edhe abuzimet e Ministrisë së Shëndetësisë e edhe të mbahen përgjegjës furnizuesit.

Pra për të ofruar zgjidhje për këto probleme Qeveria në ardhje duhet të veproj me ndarje më të madhe të buxhetit për sistem shëndetësor, bashkëpunim më të madh me organizata ndërkombëtare si dhe mbajtje më e madhe e përgjegjësisë.

Shkroi: Majlinda Jashari

TEB