LAJME

Çfarë është SWIFT dhe pse mund të jetë arma nga e cila Rusia ka më së shumti frikë

Ndërkohë që qeveritë perëndimore po e kërcënojnë Rusinë me një paketë sanksionesh të paprecedentë që synojnë ta pengojnë Presidentin Vladimir Putin të urdhërojë një pushtim të Ukrainës, eksiston një masë në veçanti që duket se shkakton frikë në zemër të Kremlinit: shkëputja e vendit nga sistemi bankar global.

Ligjvënësit amerikanë kanë sugjeruar javët e fundit se Rusia mund të përjashtohet nga SWIFT, një rrjet i sigurisë së lartë që lidh mijëra institucione financiare në mbarë botën.

Aurora Group

Ligjvënësit e lartë rusë janë përgjigjur duke thënë se dërgesat e naftës, gazit dhe metaleve në Evropë do të ndaleshin nëse ndodh një gjë e tillë.

Nëse Rusia shkëputet nga SWIFT, atëherë ne nuk do të marrim valutë (të huaj), mirëpo blerësit, vendet evropiane në radhë të parë, nuk do të marrin mallrat tona – naftë, gaz, metale dhe komponentë të tjerë të rëndësishëm,” deklaroi të martën, Nikolai Zhuravlev, zëvendëskryetar i dhomës së lartë të parlamentit të Rusisë,  sipas medias shtetërore ruse TASS.

Çfarë është SWIFT?

SWIFT – Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën u themelua në vitin 1973 për ta zëvendësuar teleksin dhe tani përdoret nga mbi 11,000 institucione financiare për të dërguar mesazhe të sigurta dhe urdhërpagesa. Pa asnjë alternativë të pranuar globalisht, është një hidraulik thelbësor për financat globale.

Largimi i Rusisë nga SWIFT do ta bënte pothuajse të pamundur për institucionet financiare dërgimin e parave brenda ose jashtë vendit, duke shkaktuar një tronditje të papritur për kompanitë ruse dhe klientët e tyre të huaj – veçanërisht blerësit e eksporteve të naftës dhe gazit në dollarë amerikanë.

“Ndërprerja do t`i përfundonte të gjitha transaksionet ndërkombëtare, do të shkaktonte paqëndrueshmëri të monedhës dhe do të shkaktonte dalje masive të kapitalit”, shkroi Maria Shagina, bashkëpunëtore vizitore në Institutin Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare, në një punim vitin e kaluar për Carnegie Moscow Center. Përjashtimi i Rusisë nga SWIFT do të bënte që ekonomia e saj të tkurret me 5%, vlerësoi ish-ministri i financave Alexei Kudrin në 2014.

SWIFT është me bazë në Belgjikë dhe udhëhiqet nga një bord i përbërë nga 25 persona, duke përfshirë Eddie Astanin, kryetar i bordit drejtues në Qendrën Kryesore të Pastrimit të Kundërpartive të Rusisë. SWIFT, i cili e përshkruan veten si një “shërbim neutral”, është inkorporuar sipas ligjit belg dhe duhet të jetë në përputhje me rregulloret e BE-së.

Koha