
Vazhdimisht përmendet se si diaspora kosovare e ndihmon ekonominë kosovare përmes dërgesave që bëjnë te familjarët e tyre. Sidoqoftë, diaspora e ka ndihmuar edhe skenën politike vendore me një numër të madh politikanësh. Kush janë ata dhe cila është e përbashkëta e tyre?
Remitencat e kalojnë 1 miliardëshin. Meqë nuk kemi investitorë tjerë të huaj, diaspora është po ashtu dërrmueshëm investitori më i madh në ekonominë tonë përmes blerjes së banesave. Ajo është quajtur nga kryeministri ynë, Albin Kurti, edhe si “nafta jonë”. Dhe secili prej nesh – edhe në mos pastë të afërm në vendet perëndimore – ka fqinj ‘fantazmë’ në banesat e blera prej tyre që rrinë të zbrazëta në pjesën më të madhe të vitit.
Por, mirëqenia e tyre që shfaqet haptas në rrugët tona, kryesisht në stinën e verës dhe gjatë festave të fundvitit, kanë joshur shumë të rinj që të marrin rrugën për në shtetet ku ata jetojnë. Mbi 100 mijë aplikime tashmë janë bërë për punë sezonale në Gjermani, derisa edhe ikjet ilegale vazhdojnë të jenë në trend.
Mirëpo, sa e kanë ndihmuar Kosovën prurjet nga diaspora në politikën tonë?
Aktualisht, politikanja nga diaspora që ka pushtetin më të madh në Qeverinë e Kosovës është Donika Gërvalla Schwarz.
Politikanja 51 vjeçare që kishte shtrirë veprimtarinë në Gjermani është zëvendës-kryeministre dhe shefe e diplomacisë kosovare. Pra, Gërvalla është njeriu i dytë më i pushtetshëm në Qeverinë Kurti II pas Albin Kurtit.
Gjatë këtij viti, ajo është kritikuar për dhjetra huqje të emrave dhe flamujve në diplomacinë digjitale të Twitterit.
Fatmirësisht, këto huqje u eklipsuan për pak kohë nga zv.kryeministri i angazhuar për çështjen e dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi, që ditë më parë ishte përgënjeshtruar publikisht nga ana e njeriut të dytë në Këshillin e Evropës. E gjithë kjo, në kohën kur Kosova kishte rritur gjasat për anëtarësim pas përjashtimit të Rusisë. Por, kjo është një temë tjetër.
Gërvalla kishte qenë politikanja e vetme e pushtetit që kishte njoftuar se Kosova do të hapte ambasadën në Jerusalem, një gjë të cilën nuk kishte guxuar ta bënte as vet kryeministri Kurti. Kjo respektonte Marrëveshjen e Washingtonit të arritur më 4 shtator 2020, e të cilën Kurti ishte zotuar se nuk do ta respektonte.
Së fundi, për shkak të huqjeve të shumta është përfolur në medie një kërkesë e mundshme nga kryeministri që kjo e fundit të dorëhiqej nga pozicioni i saj si shefe e diplomacisë për të mbetur thjesht si zëvendëskryeministre, por kjo është demantuar nga Gërvalla dhe nga anëtarë të Listës Guxo.
Njeriu i dytë më i pushtetshëm aktualisht nga diaspora është Armend Mehaj,ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës.
Mehaj nuk ishte njohur nga publiku i gjerë kosovar kur ishte prezantuar nga kryeministri Albin Kurti dhe puna e tij e deritashme nuk është kontestuar aq shumë sa puna e ministrave tjerë të Qeverisë. Po ashtu, z. Mehaj duket më i matur në deklarimet e tij publike për dallim nga znj. Gërvalla Schwarz dhe të tjerë politikanë që do t’i përmendim më poshtë.
Ministri i tretë nga diaspora në Qeverinë Kurti II është Rifat Latifi. Ai udhëheq me shëndetësinë kosovare dhe megjithëse nuk ka bërë huqje të shumta në deklarimet publike, puna e tij e deritashme nuk po shihet me sy të mirë nga gazetarët që përcjellin sektorin e shëndetësisë.
Latifi në pozitën e ministrit të Shëndetësisë kishte zëvendësuar z. Arben Vitia që kishte vendosur të garonte për të parin e Komunës së Prishtinës.
Por, Vitia kishte humbur pikërisht nga një politikan tjetër nga diaspora. Bëhet fjalë për Përparim Ramën.
Rama kishte garuar si kandidat i propozuar nga Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK-së. Kritikët në atë kohë kishin thënë se Abdixhiku po e shfrytëzonte Ramën thjesht për të mos garuar vetë. Por, politikani nga diaspora, Përparim Rama, kishte suprizuar duke arritur një fitore të madhe.
Ai ka hyrë tashmë në ditën e 100 të punës, dhe analisti Imer Mushkolaj nuk ka ngurruar ta krahasojë me mendimtarin nga Drenasi, z. Daut Demaku.
Edhe qyteti i Mitrovicës udhëhiqej më parë nga një politikan i diasporës me nam të madh. Bëhej fjalë për Agim Bahtirin e Vetëvendosjes që për tetë vjet udhëhiqte atë komunë.
Bahtiri do të mposhtej vetëm pas tetë vitesh, dhe atë nga një politikan i PDK-së me emrin Bedri Hamza, përkundër mbështetjes masive nga partia e tij. Madje, ai ishte quajtur edhe “akademik” nga kryekuvendari Glauk Konjufca përkundër që ekziston një konsensus i gjerë shoqëror se Agim Bahtiri nuk mund të jetë akademik.
Edhe ish shefi i Agim Bahtirit, Behgjet Pacolli, është një politikan që i kontribuon tash e 15 vjet skenës politike vendore.
“Nëse më mashtroj një herë, budalla jam unë. Por, nëse më mashtron dy herë, budalla jam unë… jo jo prit,” – është fjalia që do të na mbetet gjatë në mendje nga ana e tij.
AKR-ja e udhëhequr prej z. Pacolli, përkundër një nisje të mirë e një besimi të madh fillestar, prej 2010-s e këndej ka shënuar rënie të vazhdueshme dhe aktualisht nuk ka kaluar pragun.
Ndër politikanët e fundit nga diaspora që ka bërë bujë të madhe në vend është edhe Gani Dreshaj i AAK-së. Këtij – me arsye morale – iu përmend gjatë kohës së fushatës së parafundit lokale një klub nate që e kishte në pronësi në Gjermani.
Dreshaj po ashtu mbahet mend për stilin e drejtpërdrejtë të të folurit dhe deklarata të forta.
Ajo që karakterizon secilin prej politikanëve të mësipërm është pikërisht drejtpërdrejtshmëria në komunikim. Dhe për t’i kontribuar këtij teksti të së dieles mund të përmendim edhe emra tjerë si Haki Abazi, Florin Krasniqi (që s’është më pjesë e politikës), këshilltaren e Albin Kurtit me emrin Fëllanza Podrimja që s’ngurronte të qortonte zyrtaren e lartë amerikane Victoria Nuland por edhe shumë të tjerë./Nacionale








