Dënohet mjekja e QMF-së së Shipolit pas raportimit të Mitropol, nuk ndodhej në vendin e punës në orar
Më 17 tetor “Mitropol” raportoi për ankesën e një pacienti i cili përmes një video-incizimi kishte dëshmuar se një ditë më parë, mjekja që ka për obligim kontrollimin e pacientëve në QMF në Shipol nuk ndodhej në vendin e punës në ora 10:25, ani pse koha e pauzës u mbaronte në ora 10:00.
Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, pacienti thoshte se e njejta pasi u informua nga infermieret se pacienti kishte bërë video, refuzoi ta kontrollonte atë.
Në lidhje me ngjarjen, kishte reaguar menjëherë drejtori i Shëndetësisë në Mitrovicë, Dr. Fahri Shabani.
“Pas publikimit të lajmit nga ana e portalit Mitropol Media , kam kërkuar nga drejtori i QKMF-së Dr.Fevzi Sylejmani (që është përgjegjes për menaxhimin e punës së personelit shëndetsor në QKMF.QMF dhe AMF dhe për punë e tij i raporton drejtorit të Drejtorisë Komunale për Shëndetësi) që të sqarojë rastin dhe rerethanat dhe të më informojë për masat eventuale.”, u shpreh drejtori Shabani.
Në investigimin e mëtutjeshëm që Mitropol i ka bërë rastit, drejtori Shabani ka treguar se sipas raportit të pranuar nga drejtori i QKMF-së, Dr.Fevzi Sylejmani është vërtetuar se doktoresha nuk ka qenë në vendin e punës në momentin kur është raportuar mungesa e saj në QMF.
“Mungesën e vet doktoresha e ka arsyetuar me pamundësinë e shfrytëzimit të pauzës në kohën e caktuar në orarin e punës për shkak të fluksit të pacientëve, por të njëjtën kohë e ka shfrytëzuar për pauzë në kohën kur qytetari ka xhiruar videon e publikuar në portal. Megjithatë meqëse për ndryshimin e orarit të pauzës nuk e ka lajmëruar personin zyrtar mbikqyrës sipas Rregullores së brendshme të Rendit Shtëpiak në QKMF, doktoresha ka marrë masë displinore.”, u shpreh Shabani për “Mitropol”.
Masa është shqiptuar nga kryeshefja e Departamentit të Mjekësisë Familjare të QKMF-së Dr.Sanie Nimoni-Klinaku.
Mes tjerash Shabani ka treguar se QMF në Shipol është renovuar komplet vitin e kaluar dhe ka kushte shumë të mira për punë, është e furnizuar me barna dhe me material mjekësor dhe aparatura dhe pajisje mjekësore, por pavarësisht këtyre nëse mungon mjeku qytetarët s’mund të marrin shërbim dhe kjo është e patolerushme.
Ai tregoi se vitin e kaluar janë pranuar në punë 14 mjekë të përgjithshëm dhe dy mjekë të tjerë janë angazhuar përmes kontraktimit të shërbimeve shëndetësore./Mitropol/