Active 2
KOSOVËLAJME

Deputetja e Vuçiqit nga Mitrovica e harton Statutin e Asociacionit, Ekipi Menaxhues mbahet sekret

Draft-statuti i Asociacionit do të hartohet nga një Ekip Menaxhues, që Bisnik Bislimi ka zbuluar se drejtohet nga deputetja e partisë së Vuçiqit në Serbi. Përbërja e Ekipit mbetet sekret. Sipas Bislimit, të gjithë anëtarët janë serbë. Me atë që e ka sqaruar Zv.Kryeministri, Ekipi Menaxhues e çon të gatshëm Draft-statutin e Asociacionit, që prezantohet në takimin e ardhshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit. Pastaj palët negociojnë për të.

Ndërkombëtarët i kishin kërkuar vazhdimisht Qeverisë Kurti që ta hartonte një draft-statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe të Kosovës, por Kryeministri Kurti refuzonte kategorikisht që të lëvizte në temën që e kundërshtoi për 10 vjet. Pas disa muajsh, Kryeministri pranoi Propozimin Evropian, në të cilin përfshihej “Vetëmenaxhimi” i komunitetit serb dhe zotimi i zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëhershme, pra edhe ajo e formimit të Asociacionit.

Active

Pas Marrëveshjes së Ohrit, Kurti tha se Statutin e Vetëmenaxhimit e harton “Ekipi Menaxhues”.

Kryeministri thoshte se duhet të dihet statusi i atyre që mendohet se do ta shkruajnë statutin e Asociacionit dhe se me këtë do të merrej Qeveria ditëve në vijim. Nuk kishte dhënë më shumë detaje nëse këtë ekip mund ta shpërbëjnë dhe të caktojnë një tjetër.

“Pra, këta gjashtë veta, janë, nëse s’gaboj, dy serbë nga veriu, dy serbë nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal. Në bazë të marrëveshjes së 2015-s [për themelimin e Asociacionit], ky ekip menaxhues do të duhej ta draftojë statutin e Asociacionit. Tash, unë nuk e di saktësisht kush është në përbërjen e asaj, por, edhe njëherë po e theksojë, është evidente që është mirë të dihet statusi i atij Ekipi Menaxhues dhe këtë ne si Qeveri do ta shqyrtojmë ditëve në vijim”, tha Kurti.

Kanë kaluar dy javë nga deklarimi i Kurtit dhe gjatë kësaj kohe u takuan përfaqësuesi i Kosovës, Besnik Bislimi dhe përfaqësuesi i Serbisë, Petar Petkoviq, në Bruksel. Pas takimit të tyre, u paralajmërua se ‘Ekipi Menaxhues’ do ta hartojë statutin e Asociacionit. Bislimi zbuloi që Ekipin e udhëheq Danijella Vujçiq dhe ai përbëhet vetëm nga serbë.

“Janë katër persona. Janë serbë. Daniela Vujiciq është kryesuese. Dy prej tyre janë që nga viti 2013, dy kanë pësu vazhdimisht ndryshime”, tha ai, duke treguar se mandati i këtij ekipi përfundon, me prezantimin e draftit të Asociacionit.

“Janë përfaqësues të nominuar nga komunat serbe, por nuk ka qenë kusht të jenë përfaqësues politikë”, ka thënë tutje Bislimi, derisa më herët në të njëjtën intervistë ka thënë se Ekipin Menaxhues “krijohet nga Ministria e Pushtetit Lokal”.

Serbja nga Mitrovica e Veriut, Vujiçiq, është deputete nga Kosova në Kuvendin e Serbisë, pjesë e Partisë Progresive Serbe(SNS), që e udhëheq Aleksandër Vuçiq.

“Udhëheqësja e Ekipit Menaxhues është një deputete e Serbisë, që në fakt, nga Kuvendi i Serbisë, ajo e bën një draft-statut për Kosovën”, ka thënë Bislimi në KallxoPërnime.

Pas takimit të 4 prillit, Bislimi tha se në Bruksel janë pajtuar për pesë kriterët, sipas së cilave duhet të jetë Asociacioni. Ato, sipas Zv.kryeministrit, “janë pesë siguresa të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica“.

Megjithatë, Petkoviq, tha se “kjo është një gënjeshtër e pastër e Bislimit” dhe se në Bruksel nuk u përmendën “pesë kriteret për Asociacionit”. Zyrtari serb tha se në takim është folur për statutin e Aociacionit dhe Ekipin Menaxhues.

“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, ka thënë Petkoviq më 4 prill.

Kryeministri Kurti kishte përmendur se pjesë e Ekipit Menaxhues ka qenë edhe ministri për Administrim të Pushtetit Lokal. Gazeta Express ka kontaktuar sot Ministrin Elbert Krasniqi, por ai pasi ka dëgjuar, pyetjen, ka kërkuar që ajo t’i dërgohet me shkrim. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ai nuk është përgjigjur.

Drafti i statutit të Asociacionit, siç ka bërë të ditur Bislimi, do të prezantohet në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë, pra në takimin mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuciq. Zv.kryeministri Bislimi ka thënë se ky takim pritet të ndodhë në prill. Mbrëmë shefi i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq tha se janë duke pritur një ftesë nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell. /Express/

Active 1