Dëshmitari i Prokurorisë: Miku im ishte pjesë e grupit të Radojçiqit në Banjskë, paguhej 2,000 euro në muaj

Është siguruar aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj 45 personave të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Bajnskë para një viti.
Përmes së njëjtës, Nacionale sjell detaje ekskluzive nga rasti që la të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bujaku.
Një nga dëshmitarët e prokurorisë me nofkën“F1”, i cili e ka pasur mik njërin nga të dyshuarit, ka treguar se ky i fundit paguhej dy mijë euro në muaj me para kesh për përfshirje në këtë grup.
Sipas tij, grupi ka shkuar me qëllimin “për ta çliruar veriun nga Kosova”.
“Gjithashtu, ka deklaruar se miku i tij e ka thirrur përmes telefonit sepse ky e ka një numër të telefonit, i cili është i Serbisë, por për shkaqe sigurie nuk mund ta jap atë numër dhe ai po ashtu e ka thirrur në këtë numër dhe vazhdimisht ka kontakte me të, ku kontaktet e tij i mban përmes viber-it, ku flet me të, pyetën njëri me tjetrin për familjen, fëmijët. Në vazhdim ka deklaruar se miku i tij i ka thënë se celula ka filluar nga organizata Mbrojtja civile / Civilna Zastita, ku këta persona ishin organizuar me qëllim që të krijojnë strukturë paralele me institucionet e Kosovës, pastaj Milani i ka organizuar këta persona dhe personat e tjerë në Serbi të cilët i ka ushtruar, i ka përgatitur me armatim të lehtë dhe të rëndë, të cilët një kohë të gjatë kishin ushtruar në Serbi dhe shumicën prej tyre Milani i ka paguar nga 2.000 € në muaj përmes parave kesh, për t’i përfshirë në këtë grup, ata fillimisht i kanë thënë se kanë shkuar me idenë që të çlirojnë pjesën veriore nga Kosova, po ashtu me qëllim që serbët e kësaj pjese të shkëputën nga Kosova, pastaj një natë përpara sulmit Milani i ka thirrur në takim dhe kanë hyrë po të njëjtën natë para agimit diku rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe nga aty ka filluar sulmi.” – ka thënë dëshmitari në fjalë.