KOSOVËLAJME

Dështon sërish rezoluta për uljen e çmimit të energjisë elektrike

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët, raporton Sinjali.

Kjo rezolutë dështoi pasi pro ishin vetëm 29 deputetë, kundër nuk kishte dhe 55 deputetë abstenuan.

Market Florenti
Florenti Company
Koha

Rezoluta për çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila përmbante pesë pika.

Më poshtë gjeni të plotë propozim-rezolutën e propozuar:

1.I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që brenda afatit të arsyeshëm kohor të anuloj vendimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, respektivisht në bursat respektive ndërkombëtare;

2. I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin – heqjen e bllok tarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë;

3. I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ndërmarrjen e masave në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024.

4. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike;

5. Kërkon nga Zyra për Rregullatorin e Energjisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, që në afat sa më të shkurtër kohor të njoftoj Kuvendin për përmbushjen e pikave 1, 2, 3 dhe 4 të kësaj rezolute.

Ndryshe, shumë qytetarë janë ankuar lidhur me faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor. Sipas tyre, faturat për muajin dhjetor kanë qenë shumë më të larta, edhe pse thonë se kanë shpenzuar njëjtë sikurse muajin paraprak. Te KESCO kanë shkuar mbi 1 mijë e 700 ankesa për këtë çështje.