DETAJE EKSKLUZIVE nga vrasja në Skënderaj: Babë e bir gjuajtën në drejtim të viktimës, ai mori mbi 5 plagë

Një vrasje e rëndë që ndodhi dje në lokalin “Boss Bar” në sheshin e Skënderajt ka tronditur qytetarët në mbarë Kosovën.
Viktima e gjuajtjeve me plumba ishte 42 vjeçari, Ismet Ibishi, tanimë i ndjerë. Ibishi u vra nga familjarët e tij, më saktësisht djali i axhës së tij me të birin.
Policia ka bërë me dije se si të dyshuar për këtë vrasje janë arrestuar babë e bir dhe se nga ta janë sekuestruar një kallash, tri pistoleta dhe 53 fishekë kalibrash të ndryshëm.
Të arrestuar janë një 33-vjeçar me emrin Bujar Ibishi dhe babai i tij, 61-vjeçar me emrin Hisni Ibishi.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka deklaruar se rasti i vrasjes së 42-vjeçarit në Skenderaj është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.
“Mitropol” ka arritur që nga burimet e veta të mësoj për detaje ekskluzive nga ngjarja.
Dy të dyshuarit, pra babë e bir, siç mëson ekskluzivisht “Mitropol” kanë gjuajtur me armë, që të dytë në drejtim të viktimës i cili ndodhej në kafiteri.
Pra që të dy të dyshuarit kanë qenë të armatosur dhe që të dytë kanë qëlluar viktimën.
Viktima e rastit, Ismet Ibishi siç mëson ekskluzivisht “Mitropol” ka pranuar mbi 5 plagë në trup nga plumbat.
Viktima la pas vetës gjashtë vajza, ndërsa ishte në pritje edhe të një fëmije.
Mes tjerash, “Mitropol” mëson se seanca për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë./Mitropol/







