Dukato 2
02KOSOVËLAJME

Detonatorë në Leposaviq – Sveçla: Nuk ka kthim mbrapa në betejën kundër bandave kriminale

Në një reagim të publikuar sot, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës kanë zbuluar dhe sekuestruar dhjetë detonatorë ndezës me fitila (kabllo) në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në komunën e Leposaviqit, shkruan Mitropol.

Sipas tij, ky zbulim është konfirmim i qartë se Serbia, përmes grupeve kriminale dhe terroriste, vazhdon të planifikojë dhe ndërmarrë sulme destabilizuese në territorin e vendit.

Active

Në postimin e tij, Sveçla thekson se koordinimi mes Policisë së Kosovës dhe trupave të KFOR-it ka qenë vendimtar në identifikimin e këtyre mjeteve tejet të rrezikshme, të cilat dyshohet se ishin përgatitur për sulme me pasoja potencialisht të rënda.

Sveçla nënvizon se prania e institucioneve të sigurisë në veri të vendit ka shmangur një skenar të mundshëm tragjik dhe ka neutralizuar një kërcënim serioz ndaj qytetarëve dhe rendit publik.

“Shtrirja e Policisë së Kosovës dhe vigjilenca e vazhdueshme e institucioneve tona kanë bërë të mundur kapjen e mjeteve që do të përdoreshin për akte të rrezikshme terroriste”, ka shkruar Sveçla, duke shtuar se objektivi i grupeve kriminale mbetet “shkaktimi i dëmit, krimi, pasiguria dhe frikësimi i qytetarëve.”

Ministri në detyrë ka theksuar se përballë këtyre përpjekjeve destabilizuese, shteti nuk do të tërhiqet. Ai ka përsëritur vendosmërinë e institucioneve të sigurisë për t’u përballur me çdo celulë kriminale, mafioze apo terroriste që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e Republikës së Kosovës.

“Por nuk ka kthim mbrapa. Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbi të gjitha Republika e Kosovës është e vendosur në luftën kundër bandave kriminale, ndaj të cilave do të përgjigjemi ashtu siç e meritojnë”, ka deklaruar ai. Sveçla ka shtuar se kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe drejtësia do të triumfojnë mbi çdo tentativë për destabilizim.

Sipas fotove të publikuara bashkë me njoftimin, detonatorët e gjetur ishin të fshehur në një terren pyjor mes gjetheve dhe rrënjëve, duke treguar përpjekje për t’i maskuar mjetet eksplozive në mënyrë që të mos zbuloheshin nga patrullimet rutinë.

Ky incident vjen në një periudhë tensionesh të ngritura në veri të vendit, ku institucionet e sigurisë shpesh janë përballur me struktura kriminale të lidhura me Serbinë, të cilat synojnë të minojnë rendin dhe qetësinë publike./Mitropol/

Koha