
Sot pas mesnatës, saktësisht në ora 01:50 u regjistrua një tjetër shpërthim.
Ky shpërthim ndodhi tek lagjja “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të “Mitropol”.
Të njejtin e konfirmojnë për “Mitropol” edhe banorët e kësaj lagjjeje, por edhe banorë nga jugu që thonë se detonimi u dëgjua edhe në anën tjetër të qytetit.
Çka ndodhi dje?
Para tij, kanë ndodhur edhe shtatë shpërthime të shok-bombave tjera vetëm gjatë ditës së djeshme.
Shpërthimi i parë ndodhi gjatë orëve të mesditës në lagjen “Kroi i Vitakut”. Ky shpërthim u përcoll nga një tjetër, në po këtë lagje rreth orës 18:30, për të cilin raportoi ekskluzivisht “Mitropol”, duke u thirrur në burimet e veta.
Gjersa nuk vonoi shumë kur rreth orës 20:30 ndodhën tri shpërthime tjera të njëpasnjëshme. Një nga shpërthimet ndodhi pranë veturës së Policisë së Kosovës dhe një ekipi gazetarësh në Lagjen e Boshnjakëve, pak më poshtë se shkolla teknike, një pranë kampusit verior të kolegjit IBCM, gjersa një tjetër tek “Tre Rrokaqiejt”.
Kujtojmë se shpërthimet po ndodhin kryesisht në lagjet me shumicë shqiptare dhe sipas Policisë së Kosovës ato po bëhen me qëllim për të krijuar panik, terror dhe shqetësim të qytetarët.
“Gjatë 24 orëve të fundit kemi pasë dikund shtatë detonime që janë raporte në veriun e Kosovës në lagje të caktume.”, ka thënë drejtori i Operacioneve në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha në një emision dje.
Si filloi gjithçka?
Veç detonimeve, Hoxha ka folur edhe për barrikadat, duke pohuar se PK ka kapacitete të mjaftueshme për largimin e tyre.
“Policia e Kosovës ka kapacitete për të larguar barrikadat. Policia e Kosovës ka njerëzit e trajnuar dhe të përgatitur dhe ka pajisje për të larguar ato barrikada. Policia e Kosovës ka plan të detajuar për ndërhyrje në çdo barrikadë dhe do ta bëjmë këtë atëherë kur vlerësohet që pasojat do të jenë minimale” – ka thënë ai.
Hoxha tutje ka thënë se barrikadat do të largohen kur të bëhet një vlerësim i drejtë që interesi i shtetit, policëve dhe qytetarëve të mos ketë pasoja.
“Barrikadat do të largohen në momentin që bëhet një vlerësim i drejtë dhe në momentin që vendoset që interesi i shtetit tonë, i qytetarëve tonë, i policisë tonë do të ketë më së paku pasoja gjatë veprimeve tona. Në momentin që e bëjmë një vlerësim të tillë atëherë do të kryhet edhe puna e ndërhyrjes” – ka thënë ai.
Situata me barrikadat në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori, gjersa shpërthimi i shock-bombave ka filluar prej datës 6 dhjetor, pas vendimit për dërgimin e zyrtarëve të KKZ-së në katër Komunat veriore për zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor, pas dorëheqjes së Listës Serbe.
Shpërthimi i parë kishte ndodhur në zyren e KKZ-së tek “Tre Rrokaqiejt” me ç’rast Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb Dejan Pantiq, i cili dyshohet se qëndronte pas shpërthimit./Mitropol/








