Premium Store
02LAJME

Dhunë në familje në Mitrovicë: Burri rrah dhe kanos bashkëshorten, i sekuestrohen armë dhe mbi 150 fishekë

Screenshot

Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar pasditen e së premtes në fshatin Stan Terg të Mitrovicës, ku një grua ka përfunduar viktimë e sulmit fizik dhe kërcënimeve serioze nga bashkëshorti i saj.

Ngjarja ka ndodhur më 02.01.2026 rreth orës 14:40, kur ankuesja, R.P., ka njoftuar policinë se pas një mosmarrëveshjeje bashkëshortore, bashkëshorti i saj Xh.P., fillimisht kishte tentuar ta dëbonte nga shtëpia, për të kaluar më pas në dhunë fizike, duke e goditur me grusht në fytyrë.

Medi

Sipas deklarimit të viktimës, siç mëson Sinjali situata ka eskaluar më tej, pasi i dyshuari e ka kanosur me jetë, duke i shkaktuar frikë serioze për sigurinë e saj.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku i dyshuari ka dorëzuar vullnetarisht një arsenal armësh dhe municioni, përfshirë: një pushkë gjuetie me leje, 17 fishekë të pushkës së gjuetisë, 1 karikator revolje, 132 fishekë të kalibrit 9×19 mm.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedimi i paautorizuar i armës” dhe “Kanosja”.

Me vendim të prokurorit kujdestar, Xh.P., është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

Koha