Dhunë në një familje në Mitrovicë, gruaja e denoncon burrin në Polici pasi e sulmoi fizikisht

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Mitrovicë, ku një burrë dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja ka kërkuar ndihmë nga Policia, si pasojë e presionit nga burri i saj, i cili i ka krijuar frikë dhe shqetësim.
Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur që ta raportojë rastin dhe si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.






