
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka thënë se në këtë vit parashikohet që rritja ekonomike të jetë 3 deri 4 për qind.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se rritja e normës së interesit dhe inflacionit në Kosovë kanë ndodhur për shkak të agresionit rus.
“Kemi rritje të konsumit privat, konsumit publik, rritje të investimeve private e publike. Të gjitha këto janë ndikuar nga shumë faktorë, sidomos masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës ka ndikuar te dy faktorët, po ashtu kreditimi e diaspora janë komponentë kryesorë që ka ndikuar në rritjen ekonomike në vend. Ky vit, filloi suksesshëm me një rritje që parashikohet të jetë 3 deri në 4 për qind, dhe parashikimet mund të ndërrojnë, duke i pasur parasysh rrethanat që kanë ardh si rezultat i agresionit rus në Ukrainë e që ka ndikuar ekonominë globale por normal edhe në Kosovë. Si rezultat i kësaj ka ndodhë që të kemi rritje të normës së interesit, të inflacionit që kjo pastaj ka reflektuar edhe në Kosovë, dhe gjithashtu ka ndikuar në ndryshim të politikave monetare”, ka thënë Mehmeti.
Guvernatori Mehmeti ka thënë se gjatë këtij viti në Kosovë remitencat kanë prekur vlerën e 1 miliardë eurove, ndërsa Investimet e Huaja Direkte kanë shkuar në 567 milionë euro. Ai tutje ka thënë se nëse mblidhen i bie që mbi 3 miliardë euro janë të hyra nga diaspora.
“1. 48 miliardë euro janë shpenzime jo jorezidente që ne i quajmë por janë të diasporës. 1 miliard janë remitencat dhe nëse i shohim investimet e huaja direkte kanë shkuar 567 milionë euro, dhe këto kryesisht realizohen prej diasporës, për arsye se 67 për qind janë të dedikuara për patundshmëri, pjesa tjetër për shërbimet financiare, që në total nëse i mbledhin i bie mbi 3 miliardë euro të hyra që vijnë prej diasporës”, thotë tutje Mehmeti./Nacionale/







