Dimal Basha-KFOR’it: Lëshoni udhë, Policia jonë nuk nënshtrohet, ka kapacitete me i largu barrikadat

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Dimal Basha tha se “pas 15 dite, KFOR-i paska thanë që duhet dialog me bandën e Radojçiqit për zhbllokimin e barrikadave”.
Përmes një shkrimi në Facebook, Basha u shpreh se nuk beson që Amerika do të miratojë këtë deklaratë të KFOR’it.
“A keni fol me ambasadën se ky me shokë janë n’listën e zezë të Amerikës? Nuk besoj që Amerika ua miraton këtë deklaratë! Tjetra, po i njejti me shokë janë të kërkuar prej forcave tona policore për plotë vepra kriminale! Kur të takohen me policinë nuk ka dialogim, veç arrestim!”, shkroi ai.
Tutje, deputeti konsideroi që KFOR-i po e politizon pozitën e tij.
Po ashtu, Basha kërkoi nga KFOR të lëshoj udhë, pasi që Policia e Kosovës i hjekë pengesat, por, nuk nënshtrohet.
“KFOR-i është duke gabuar që po e politizon pozitën e vet, sepse po e humb kredibilitetin tek qytetarët duke mos ushtru mandatin e tyre! Nëse dëshironi me qëndru indiferent ndaj kriminelëve, në rregull, vetëm lëshoni udhë sepse policia jonë është deklaru që ka kapacitete me i hjek pengesat, por m’u nënshtru asnjëherë!”, ka shkruar Basha.








