Premium Store
02LAJME

Doktoresha e Mitrovicës që sfidoi luftën: Pa paga, pa bukë, por me mision për popullin

Në emisionin “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës”, mjekja Drita Ibrahimi ka ndarë rrëfimin e saj për periudhën e viteve ’90 dhe kohën e luftës.

Ajo tregoi se, ndonëse kishte përfunduar specializimin në Lublanë për “Mjekësi të Punës”, për shkak të represionit serb nuk pati mundësi ta ushtronte si duhet atë për çka ishte e specializuar.

Premium Store

Ibrahimi kujtoi sfidat gjatë luftës, kur edhe pa paga punonte në Shtëpinë e Shëndetit për të ndihmuar komunitetin.

“Nuk kemi pasur paga. Paga 2 muaj ose 3 nuk kemi marrë. Nuk kemi pasur paga, por gjithë kemi punuar me një vullnet, me një dëshirë që jemi të lirë edhe po i kontribuojmë një populli i cili ka pasur mjaft nevojë për neve”, tha ajo.

Mes emocioneve, ajo rrëfeu momentet e rënda të shpërnguljes me familjen dhe përballjen me urinë e mungesën e kushteve elementare.

“Ajo ka qenë dhimbja ime më e madhja. Djali i vogël as 7 vite nuk i kishte, ai më ka lypur bukë. Të mëdhenjtë e kanë kuptuar. Më kujtohet diku te Peja, aeroplanët e NATO-s kanë hedhur pako ushqimore. I kam mbledhur ato edhe ua kam dhënë fëmijëve të mi. Unë nuk kam marrë. Më thotë djali ‘merre mama haje’, ‘jo’ thashë nuk dua. Nuk kam ngrënë”, kujton ajo.

Pas kthimit në Mitrovicë, ajo u përball me një sistem të mbushur me staf serb, ndërsa më pas vendosi ta braktiste vendin. Sot, Dr. Drita Ibrahimi është e pensionuar dhe e rrethuar me dashurinë e nipave e mbesave.

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Dukato 1