Medi
02KOSOVËLAJME

Doktori i luftës jep dëshmi tronditëse për dhunën seksuale të bërë nga serbët në Vushtrri

E hap derën e lokalit dhe me hapa të ngadaltë afrohet drejt meje. Ende pa zënë vend mirë, me një mirësjellje që të vë në siklet, kërkon falje për vonesën. Sapo ulet, Shukri Gërxhaliu, doktor në pension, tregon se muajve të fundit nuk është mirë me shëndet pasi po e vazhdon kimioterapinë.

“Mirë që u takuam sot (e diel v.j.), se të hënën e kam seancën tjetër e tana një javë s’po mundem me ardhë në vete”, thotë Gërxhaliu.

Weelnes

Sapo rehatohet në kolltukun e tij, doktori nga Studimja e Poshtme e Vushtrrisë, fillon rrëfimin e tij të gjatë për gazetën Nacionale.

Në këtë rrëfim që do të botohet në dy seri, Gërxhaliu flet për masakrën në familjen e tij, rrëfimet që i mblodhi nga viktimat e dhunës seksuale e për përballjen me Sllobodan Millosheviçin në Hagë.

I lindur në vitin 1953, doktori e përfundoi Fakultetin e Mjekësisë e pastaj specializoi në Beograd, për të shërbyer si mjek në Vushtrri deri në pension.

Në vitet 90-ta, kur shqiptarët organizoheshin politikisht në atë që u njoh si ‘sistemi paralel’, ai ishte pjesë e strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në fshatin e lindjes.

E kur filloi lufta çlirimtare, Gërxhaliut i ra të kontribuonte në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si mjek epror në zonën operative të Shalës.

Masakra në familjen Gërxhaliu

Në fundmajin e 1999, gjersa po vizitonte të afërmit, në familjen e gjerë Gërxhaliu ndodhi një masakër e madhe nga ana e forcave policore-ushtarake serbe në të cilën u ekzekutuan 12 persona.

“149 persona janë vra në Studime dhe rrethinë gjatë muajit maj. Kulminacionin e ka mbërri më 31 maj 1999 ku djali i axhës së babait, Selatin Gërxhaliu, i cili ka qenë një furnizues me armë i UÇK-së. Aty u shku edhe axha jem, Xhemajl Gërxhaliu. Selatini është përleshur, por s’ka qenë i armatosur. Në total në këtë masakër janë vra 12 persona”, rrëfen Gërxhaliu.

Ish-mjeku i UÇK-së, tregon se si shpëtoi nga vdekja në ditën kritike.

“Me 30 maj erdha me i marrë do ilaçe dhe me pa familjen. E përgatita një gjysmë thesi me barna. Të nesërmen në mëngjes, hynë paramilitarët në shtëpi të familjarëve. Gruaja më tregoi që janë hy serbët te familja e Selatinit, 20 metra larg shpisë tem. Gruaja m’tha po të lypin prapë se edhe më herët m’kishin pas lyp. U qova u vesha shpejt edhe dola në drejtim të kundërt me shpresë që po e takoj axhën, por ai ishte shku me i shpëtu me të holla familjarët. Pastaj shkova u strehova në një vend”, shton Gërxhaliu.

Pas shpëtimit nga masakra, ai e vazhdoi kontributin në radhët e UÇK-së e për ta vazhduar atë pas luftës me mbledhjen e dëshmive të grave e burrave të dhunuar seksualisht nga serbët.

Dhunimet e shumta seksuale në luftën e fundit

Në luftën e fundit besohet të jenë dhunuar mijëra persona, kryesisht gra shqiptare, nga ana e forcave ushtarake, policore e paramilitare të ish-Jugosllavisë. Sipas raporteve ndërkombëtare, fenomeni i dhunimeve seksuale ka qenë mjaftë i përhapur në Kosovë gjatë vitit 1998-1999.

Ato që u raportuan nga institucionet vendore e ndërkombëtare, i rrëfen edhe doktori nga Vushtrria.

Gërxhaliu tregon se si në maj të 1999 i trajtoi rastet e para të të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë.

“Pas ofensivës së parë, erdhën tri gra. Njëra ka qenë e Cecelisë, njo e Samadrexhës dhe një tjetër. Është fillimi i majit, janë rastet e para. Njërën me 2 maj e kishin majtë gjatë tanë natës në një shpi ku janë kanë të stacionuar serbët. Pastaj ajo u kthy në shtëpi të babës e tash jeton jashtë vendit. Ka apliku për statusin e viktimës”, deklaron Gërxhaliu.

Por, doktori i pensionuar s’do ta ndalte punën vullnetare me gratë viktima të dhunës seksuale.

Menjëherë pas luftës, Gërxhaliu kishte filluar të trajtonte viktimat e përdhunimit në mesin e të cilave kishte edhe burra, në ordinancën e tij private në Vushtrri.

“E kisha një ordinancë, aty vishin ato. E informojshin njana-tjetrën edhe ardhshin. Rrëfimet e tyne i kam majtë konfidente dhe kam bë një listë. Për 15 vjet, këto viktima janë trajtu te unë. 134 gra i kam identifiku. E kam listën. Nuk kanë qenë të gjitha te unë, por shumica po. Ato m’tregojshin kam qenë vet e treta, filanja ka qenë me mua, filanja me mua edhe unë i kam shënu të gjitha. E kam majtë njëfarë evidence dhe i kam llogaritë që gjithsej 134 gra janë dhunu në Vushtrri dhe rrethinë”, i tregon Nacionales doktori.

Në mesin e të dhunuarve ishin edhe katër burra, të cilët, sipas doktorit, ngurronin të tregonin ndodhinë që u ngjau në luftë.

“Përjetimet e rënda janë të rënda edhe te gratë edhe te burrat. Burrat janë pak më të ndjeshëm, sepse atyre u vinte keq çka u ka ndodhur. Të dy gjinive u ardhke keq, ama ma shumë burrave sepse tek ne shqiptarët përdhunimi është diçka e paimagjinueshme, diçka që s’bon me ndodhë. Ama unë jam kanë gjithmonë i kujdesshëm, i kam ruajtur në mirëbesim. Kanë ardhur, janë rrëfyer e janë relaksuar pak”, shton doktori.

Përveç listës me 134 emrat e grave dhe burrave të dhunuar, Gërxhaliu mblodhi edhe një numër të rrëfimeve të shkruara nga të mbijetuarat e dhunës seksuale.

Zakonisht dëshmitë e shkruara u dhanë nga gratë që nuk arrinin të vazhdonin rrëfimin për ngjarjen më tragjike të jetës së tyre.

“Nganjëherë ato tregimet e tyre ishin shumë të rënda, emocionuese sa që nuk mujsha as unë as ato me u përmbajtë deri në fund. Shpesh herë s’kam mujtë me dëgju rrëfimin e tyre deri në fund. Ka qenë shumë vështirë. I lutsha “ju lutem, a ka mundësi me pi pak ujë, me u qetësu, me shku te shpija edhe me u ulë me shkru me shkrim e tana ma bjen nesër”.  Nja 5 a 6 a ma shumë rrëfime të tyne i kam të shkruara. I kallxojnë vujtjet e tyre, kush i ka dhunuar, kur e qysh i kanë dhunu. I kallxojnë ato hjekat e tyne”, sqaron Gërxhaliu.

Ish-mjeku i UÇK-së tregon se dëshmia e grave të dhunuara, u ndihmonte atyre në përballimin e ndikimeve pas-traumatike.

“Edhe pse nuk kam qenë neuropsikiatër e as psikolog, është dashtë me lujtë rolin e tyne. Ato biseda, ato muhabete të grave me mua, e bojshin t’vetën dhe siç thotë populli ato u kthjellshin, u relaksojshin. Nganjëherë përdorshin edhe barna.

Krahas fatkeqësisë në kohë lufte, disa nga gratë e dhunuara nuk gjetën përkrahjen e bashkëshortëve të tyre pas çlirimit.

“Ma e keqja është ku e di sa burra i kanë lanë gratë e dhunuara. Ju kam thanë “thuaj burrit tënd le të vjen e të bisedojë me mua”. Pse o burrë nuk e ke mbrojtë gruan?” Mirëpo nuk kam gjetë mirëkuptim”, shton ai.

Gërxhaliu tregon rastet më të rëndë të përdhunimit, të cilët i dëgjoi gjatë kohës sa po trajtonte të mbijetuarat e dhunës seksuale.

“Më vjen keq që njëra nga gratë ka mbetur shtatzënë dhe ka pas fëmijë prej atij zullumi. Fëmija jeton tash, e do dhe e trajton si fëmijët e tjerë. Një tjetër ka qenë shtatzënë dhe është dhunu së bashku me motrën e vet dhe me 3 a 4 gra të tjera dhe ka abortuar si pasojë e dhunimit”, rrëfen me zë të dridhur Gërxhaliu.

Rrëfimi i Vasfije Krasniqit

Në mesin e grave viktima që e ndau rrëfimin e saj me Gërxhaliun është edhe Vasfije Krasniqi, ndër të rrallat të mbijetuara të dhunës seksuale që u deklaruan publikisht.

Menjëherë pas luftës, Krasniqi, që sot është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, ishte rrëfyer tek doktor Gërxhaliu duke e deponuar dëshminë e saj edhe në formë të shkruar.

Veterani i luftës thotë se kishte shumë emocione kur për herë të parë e dëgjoi publikisht Krasniqin të fliste për ngjarjen më të rëndë në jetën e saj.

“Unë Vasfijen e njoh mirë. Kam pas bajagi emocione kur e kam pa t’u folë. Mirëpo unë e kam njoftë edhe si Vasfije, edhe si paciente. Është grua e fortë, shumë konsistente. Edhe tash me veprimtarinë e saj, edhe me rrëfimin publik m’ka befasu. Jashtëzakonisht mirë dhe jam i kënaqur e shumë krenar me dëshminë e saj, me guximin e saj. Por, edhe me veprimtarinë që tash po e bën”, deklaron Gërxhaliu.

Doktori megjithatë është i zhgënjyer me punën e institucioneve në dokumentimin e krimeve të luftës e posaçërisht të dhunës seksuale.

“Absolutisht asgjë s’kemi bo për viktimat. Është gjynah. As për veteranët, as për viktimat e dhunës seksuale e as për popullatën në përgjithësi nuk është bo shumë. Është e tmerrshme”, deklaron mërzitshëm Gërxhaliu.

Dënimi i Vukotiqit

Gruaja që abortoi për shkak të keqtrajtimit seksual, pas lufte do të dëshmonte së pari te Gërxhaliu e më pas edhe në gjykatore kundër përdhunuesit të saj.

Në këtë rast u gjykua nga Gjykata Themelore në Prishtinë Zoran Vukotiq dhe u dënua me 10 vjet burgim për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare gjatë majit të 1999 gjersa në Kosovë vazhdonin luftimet.

“Sa e di është i vetmi rast që është gjykue në Kosovë për përdhunim. Ka qenë një grua e fortë, e cila ka qenë shtatzënë dhe ka abortu për shkak të përdhunimit. E kam përgatitë dhe e kam lutur “bonu e fortë, bonu burrërore” dhe ajo ka dalë dhe ka dëshmu”, thotë Gërxhaliu.

Doktori ishte pjesë e gjykimit duke i ofruar Gjykatës dy herë dëshminë e tij kundër Vukotiqit.

Së fundmi, ai u paraqit vitin e kaluar në gjykimin që përfundoi me dënim për prej 10 vitesh burgim për ish-policin serb.

Gërxhaliu thotë se është lehtësuar shpirtërisht pas dënimit të Vukotiqit.

“Është një lehtësim për mua që s’paku dikush u dënu. Sepse duke heshtë na, Gjykatat tona, tash po na akuzojnë për krime që s’i kemi bo. Shyqyr Zotit që u dënua s’paku njo a është dashtë me u dënu krejt. Nuk e di a është faji jonë a i dikut tjetër që s’u dënuan të tjerët. Vukotiqi u dënu për një viktimë se janë 17 a 18 gra që e akuzojnë atë për përdhunim. Ka bo krime të mëdha, vrasje, dhunime, ka djegë shtëpia”, shton Gërxhaliu.

Doktori tregon për Nacionale se si viktima e dhunës seksuale e përjetoi dënimin e Vukotiqit.

“Ajo ka qajtë, ka dënesë qaq shumë që e ka ndi veten të relaksuar. Na flasim hala dhe prej asaj kohe (të dënimit v.j.), ajo nuk e ndien vetën keq pasi është shqiptu dënimi ndaj atij dhunuesi”, thotë shkurt Gërxhaliu.

Por Gërxhaliu u përball edhe me shumë serbë të tjerë, të cilët akuzoheshin për krime lufte e krime kundër njërëzimit në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi.

Në Hagë, ai dëshmoi edhe kundër ish-presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, i cili u akuzua nga Tribunali për krimet e shumta në Kosovë.

“Kisha qef me e kapë për fyti Millosheviçin, por e mbajsha veten. Ndjeja neveri ndaj tij”, thekson Gërxhaliu.

Gazeta Nacionale do ta botojë nesër rrëfimin e plotë të Gërxhaliut për përballjen me Kasapin e Ballkanit./NACIONALE

Dukato 1