Dosja e Gjykatës: Dënohet shoferi i BMW-së që hoqi fellnen pasi ia bllokuan rrotën për parkim të gabuar

Një burrë në Mitrovicë është dënuar me 200 euro gjobë pasi e ka hequr bllokadën e vendosur në rrotën e veturës BMV X6, pa e njoftuar pronarin e parkingut ku e kishte lënë veturën. I njëjti është dënuar për vetëgjyqësi.
H.M është gjetur fajtor për veprën e kryer më 21 mars 2022 në rrugën “Shemsi Ahmeti”. Sipas Gjykatës, në parkingun e një kompanie të taksit, e parkoi automjetin e markës “BMW X6” dhe shkoi në qytet të kërkoj shokun e tij. Pasi u kthye, hyri në automjet dhe tentoi që të nisej, por dëgjoi një zhurmë nga rrota e majtë.
“Ai ka dalë jashtë dhe ka vërejtur që është ngjitur bllokada në rrotën e automjetit, e ka larguar fellnen dhe me të është larguar edhe bllokada” – thuhet në vendim.
Gjykata ka theksuar se i pandehuri ka qenë i obliguar që paraprakisht ta njoftojë pronarin e kompanisë, pasi e kishte parkuar automjetin në parking pa autorizim.
Sipas vendimit të Gjykatës të dhënë në shtator të vitit 2022, nëse i akuzuari nuk e paguan gjobën prej 200 eurove në afatin e caktuar, Gjykata do të bëj zëvendësimin e dënimit me gjobë me dënim me burgim duke llogaritur 20 euro për një ditë të kaluar me burg./Kallxo/








