
Kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Armend Agolli, ka reaguar pas përplasjeve mes regjioneve që përfaqësojnë kandidatët e tjerë për kryetar komune, shkruan Mitropol.
Agolli ka theksuar se debate të tilla mes regjioneve nuk përfaqësojnë kulturën qytetare të mitrovicasve.
Agolli ka theksuar se është shaljan e edhe drenicak, duke shtuar se nuk e urren as Hashim Thaçin dhe as Albin Kurtin, ani pse është rugovist në shpirt.
Postimi i plotë:
Mitrovicas të dashur,
Si po e shihni këtyre ditëve përplasjet nga kampet politike në Mitrovicë kanë marrë dimenzion gati primitiv, që nuk e përfaqëson kulturën tonë qytetare. Keqpërdoret shaljani e drenicaku, paraqiten sikur ata të ishin armiq të njëri tjetrit.
Cilido mjeran, që pretendon ta pasqyrojë Mitrovicën me këtë ndarje primitive regjionale, nuk e njeh shpirtin zhvillimor, emancipues e bashkëkohor të mitrovicasve. Mitrovica është djep i kulturës, ku diversiteti kulturor, regjional e fetar ka qenë përherë vlerë e përqafuar nga të gjithë.
Ata që pushtetin e kanë më të rëndësishëm se interesin e qytetit tonë, e që janë të gatshëm ta përçajnë pooullin për interesa të ngushta, le ta dijnë se do ta marrin ndëshkimin e fortë nga qytetarët e lirë mitrovicas.
Unë jam shaljan por edhe drenicak, jam doktor por edhe ish luftëtar, i dua Isa Boletinin e Adem Jasharin, nuk i urrej as Albinin as Hashimin, por jam rugovist me shpirt, e mbi të gjitha jam mitrovicas që nuk e sheh politikën si luftë por si garë të ideve e projekteve.
Le ta bëjmë Mitrovicën për të gjithë!








