Drejtoresha e re e Shkollës së Mjekësisë ndalon daljen jashtë shkollës në pushim të gjatë, nxënësit pretendojnë se u bë për favorizim të byfesë (VIDEO)

Drejtoresha e re e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë, Drita Zaraj sot ka marrë vendimin për ndalimin e nxënësve për të dalë jashtë objektit shkollor gjatë kohës së pushimit të gjatë, mëson “Mitropol”.
Nxënësit e kësaj shkolle kanë dërguar në adresë të “Mitropol” një video ku shihen punonjësit teknik të shkollës duke mbyllur portën për të parandaluar daljen e nxënësve jashtë objektit shkollor.
Sipas pretendimit të tyre, ky veprim i drejtoreshës po vie për ta favorizuar byfenë e shkollës, me qëllim që nxënësit ta blejnë ushqimin aty. Madje, ata kanë thënë se ushqimi në byfe është më i shtrenjtë se ushqimi jashtë shkollës.
Por, të gjitha këto pretendime i ka mohuar vet drejtoresha Zaraj.
E kontaktuar nga “Mitropol”, Zaraj ka thënë se vendimin për ta mbyllur derën e jashtme të shkollës gjatë pauzës së pushimit të gjatë e ndërmorrën si vendim të brendshëm shkollor me qëllim të sigurisë, pasi siç tha ajo, ambienti jashtë shkollës frekuentohet edhe nga nxënësit e shkollave tjera të mesme, duke shkaktuar pasiguri për përdorimin e asaj rruge.
“Nxënësit kanë të drejtë të sjellin ushqim në shkollë edhe prej jashtë, por edhe të porosisin nga jashtë.”, ka thënë mes tjerash Zaraj për “Mitropol”.
Drejtoresha e re ka mohuar edhe pretendimet se çmimet e ushqimit në byfenë e shkollës janë më të larta se në lokalet jashtë ambientit shkollor.
“Jo, çmimet nuk janë më të larta. Përkundrazi, janë edhe më të lira sesa në ambientet tjera.”, ka thënë Zaraj.
Ndryshe, ankesa për formën se si menaxhohet shkolla e Mjekësisë ka pasur edhe para ardhjes së drejtoreshës së re në krye të shkollës muaj më parë./Mitropol/







