02KOSOVËLAJMESPORT

Drilon Hajrizi: Kam lëshuar rrugë për të mirën e klubit dhe qytetit

Drilon Hajrizi do të mbetet pjesë e Trepçës. Por jo si kapiten.

Roadside
Market Florenti

Këtë e bëri të ditur të premten skuadra kampione e Kosovës në basketboll. Hajrizi ishte zgjedhur kapiten pas fundit të edicionit të kaluar dhe pasi Valdrin Haxhiu i dha fund karrierës. Por Trepça të premten njoftoi se kapiten i ri është Anes Gashi dhe se Hajrizi mbetet pjesë e skuadrës.

Koha
Market Florenti
Florenti Company
Market Florenti

Ndërkohë lideri i Trepçës dhe basketbollisti më i mirë në Kosovë për vitin e kaluar, Hajrizi, ka thënë për KOHËN se ka lëshuar rrugë, përkatësisht ka hequr dorë nga pozita e kapitenit, për të mirën e klubit dhe të qytetit. Sipas Hajrizit, e rëndësishme është që qyteti i Mitrovicës të bashkohet rreth Trepçës.

Gjatë gushtit, Hajrizi kishte një infeksion në vesh. Qëndroi disa javë i shtrirë në spital e ndërkohë iu nënshtrua një intervenimi kirurgjik. Është ende duke e marrë veten dhe nuk dihet data e saktë se kur do të jetë në gjendje të luajë sërish.

“Me gjendjen shëndetësore që e kam, nuk kam dashur të bëhem pengesë. Aktualisht nuk po mund të kontribuoj për skuadrën në parket. Prandaj edhe kam dashur të lëshoj rrugë për të mirën e klubit, për të mirën e qytetit. Data e kthimit tim nuk dihet, prandaj nuk kam dashur të jem pengesë për bashkimin e qytetit rreth Trepçës”, ka thënë Drilon Hajrizi.

Ai ishte prej më meritorëve që Trepça në edicionin e kaluar fitoi titullin e kampionit të Kosovës pas pritjes shumë të gjatë. Po ashtu “xehetarët” me kontributin e madh të Hajrizit në parket fituan Kupën e Kosovës, Superkupën dhe turneun e Ligës Unike. Mitrovicasit bënë hapa para në FIBA Europe Cup.

33-vjeçari Hajrizi është prej basketbollistëve më të mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë. Karriera e tij, pos e suksesshme ishte edhe goxha e bujshme. Pasi shpërtheu te Trepça në moshë të re, iu bashkua Pejës. Prej Pejës kaloi te Prishtina në vitin 2016, por këtë lëvizje tifo-grupi mitrovicas “Torcida” nuk e miratoi asnjëherë. Edhe tifozët e Prishtinës me shumë vështirësi e pranuan Hajrizin në skuadër.

Më pas ai luajti në Japoni, ndërsa u kthye në Kosovë te Bashkimi. Luajti sërish për Pejën, ndërsa prej vitit 2020 është te Trepça.

Kur kryesia e Trepçës e shpalli kapiten Hajrizin gjatë verës, tifo-grupi “Torcida” njoftoi se do të bojkotonte ndeshjet e skuadrës së basketbollit. Dhe bojkotit i ka qëndruar deri më tani. Përkrahja nga tribunat, përkatësisht nga “Torcida”, vlerësohet arma më e fortë e Trepçës. Atmosfera gjatë gjithë edicionit të kaluar ishte e zjarrtë në “Minatori”. Shumë më ndryshe ishte në ndeshjen e së mërkurës ndaj Golden Eagle Yllit, në të cilën “Torcida” nuk ishte prezent.

Në fillim të karrierës, por edhe prej vitit 2020 e tutje, kontributi i Drilon Hajrizit për Trepçën vlerësohet shumë i madh. Si rrjedhojë e kontributit sportiv besohet se edhe erdhi vendimi që Hajrizi të zgjidhej kapiten. Por ai po e lëshon pozitën e kapitenit pa e udhëhequr skuadrën në asnjë ndeshje, ndonëse lideri i saj ka kohë që vlerësohet. Kjo nënkupton që kryesia e klubit nuk i kishte bërë hesapet mirë kur vendosi që Hajrizi të jetë kapiten. Me vendim të bordit të klubit, kapiten i ri i Trepçës është i riu Anes Gashi.

“Nuk dihet data e kthimit tim. Unë jam pjesë e Trepçës dhe do të jem. Kam raporte shumë të mira me kryesi, me klub. Klubi më ka qëndruar gjithnjë pranë. Pasi të shërohem plotësisht, do të jap sërish kontribut si lojtar i Trepçës”, ka theksuar Hajrizi.

Ka pasur raportime të enjten se Trepça e Hajrizi kanë ndarë rrugët. Por kjo doli të mos jetë e vërtetë.

Pas ndryshimit të kapitenit, pritet që Trepça ta ketë përkrahjen e tifozëve në ndeshjet e ardhshme.