Medi
02KOSOVËLAJME

Drita Kadriu: Në kohën e Serbisë, nxënësit i thyen kordonët e policisë për të hyrë në shkollë

Në emisionin “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës”, u soll një rrëfim i fuqishëm nga Drita Kadriu, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Mitrovicës që nga viti 2021, shkruan Mitropol.

Kadriu ndau momente kyçe të rezistencës arsimore gjatë viteve të ’90-ta, përfshirë sfidat si drejtoreshë e shkollës “Meto Bajraktari” në një kohë kur aty funksiononin edhe paralelet serbe.

Medi

Ajo tregoi për përballjet e drejtpërdrejta me strukturat serbe.

“Unë pesë herë e kam thyer atë derë dhe i kam vendosur bravën, por edhe pala serbe e ka thyer pesë herë. Po ata u dorëzuan. Gradualisht filluam me marrë hapësirën.”, tha ajo.

Një nga momentet më të fuqishme sipas drejtoreshës ishte kur nxënësit thyen tri kordone policore për të hyrë në objektin e shkollës.

“Ka qenë rast unikat në krejt Kosovën. Pas kësaj ngjarjeje, të gjitha shkollat e Kosovës janë kthyer dhe vendosur në objektet shkollore.”, u shpreh ajo.

Kadriu foli edhe për sfidat ekonomike të asaj kohe, kur rrogat e mësimdhënësve u ndërprenë nga pushteti serb.

“U bë kompromisi social. Mësimdhënësit u deklaruan që do ta mbajnë mësimin. Prindërit bashkë me këshillat e financimit u organizuan me mbledhë mjete për t’ua dhënë atyre.”, tha ajo.

Ajo përmendi edhe demonstratat e viteve ’80, kur si nxënëse e shkencave natyrore në Zveçan, i shpëtoi dhunës serbe duke ikur përmes rrugëve dhe oborreve të banorëve serbë.

Në fund, Kadriu foli me emocione për rininë e sotme dhe maturantët që i sheh me krenari.

“Jam shumë e lumtur sa fëmijë të qetë janë. Nuk kanë paragjykime, e pranojnë njeriun qysh është. Ju them: “A jeni të lumtur? më thonë ‘po’ me të madhe”, tha ajo mes lotësh.


Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Active