
Një person është therur me thikë të enjten në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka thënë se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 18:30, kemi marrë informatën se një person i lënduar ndodhet në rrugën ‘Bill Klinton’ në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se lëndimet e personit janë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ahmeti.
E gjatë ditës një tjetër therrje ndodhi edhe në Mitrovicë.
Një 15-vjeçar nga Mitrovica është therur me mjet të mprehtë.
Si shkak i lëndimit në shpinë, viktima ka qenë në rrezik për jetën.
“Ekipi urgjent para se ta transferojë nga Mitrovica për në Prishtinë pacientin, paraprakisht e kanë lajmëruar QKUK-në më saktë Klinikën e Emergjencës në mënyrë që mjekët kujdestarë të intervenojnë menjëherë pas arritjes së 15-vjeçarit, ngase viktima gjatë rrugës ka humbur sasi të madhe të gjaku”, ka bërë të ditur kirurgu torakal dhe drejtuesi i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci.
Burime ekskluzive të “Mitropol” bënë të ditur se rasti ka ndodhur në Shipol të Mitrovicës.
Personi i therrur është nxënës i klasës së nëntë të kësaj shkolle.
Sipas informacioneve të siguruara nga portali, ngjarja dyshohet se ndodhi pas një mosmarrëveshjeje, me ç’rast dy nxënës kanë sulmuar një tjetër, të cilin e kanë goditur me thikë dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore.
”Mitropol” mëson se rasti ka ndodhur pas orarit të mësimit në këtë shkollë.
Portali ka tentuar të kontaktojë për temën edhe me drejtorin e kësaj shkolle, Arben Fejza, mirëpo i njejti nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e artikullit.
Një rast i therrjes në këtë shkollë kishte ndodhur edhe në vitin 2017.







