Dy vëllezër serbë në paraburgim për sulmin në Ibër-Lepenc: Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Jovan Viqentijeviq dhe Dragisha Viqentijeviq, dy vëllezër serbë, do të qëndrojnë për 30 ditë në paraburgim.
Kjo me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si të dyshuar për përfshirje në sulmin në Ibër-Lepenc.
Ata dyshohen për cenim të rendit kushtetues duke dëmtuar pajisje publike, dhe gjithashtu për mbajtje në pronësi të armëve.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin-Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit Ibër-Lepenc, e cila përdoret për furnizimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës me ujë të pijshëm dhe për nevoja të termocentraleve të Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike, i dyshuari Jovan Viqentijeviq në bashkëkryerje me të dyshuarin Dragisha Viqentijevq (vëllanë e tij), me qëllim të shqetësimit serioz të banorëve dhe cenimit të rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, qëllimisht kanë dëmtuar pajisjet publike të ujësjellësit dhe kanë kryer veprën penale terroriste duke përdorur eksploziv dhe mjete eksplozive drejtpërdrejt në pjesën e kanalit dhe atë në infrastrukturën e betonit, raporton Betimi për Drejtësi.
Dosja e Prokurorisë thotë që të dyshuarit e kanë aktivizuar eksplozivin dhe si pasojë kanë dëmtuar rëndë dhe e kanë bërë të papërdorshëm për shfrytëzim të mëtutjeshëm ujin, kështu që ua kanë pamundësuar qytetarëve furnizimin me ujë për pije dhe e kanë rrezikuar prodhimin e energjisë elektrikë në nivel te vendit.
Tek i njëjti, sipas Prokurorisë, janë parë disa lëndime trupore të cilat dyshohen së lidhen me vendin e ngjarjes, ku ka ndodhë vepra penale si dhe në bazë të disa dëshmive të tjera të cilat janë gjetur në shtëpinë e të pandehurit dhe vëllait të tij Dragishës. Kështu që edhe pse i pandehuri Jovan, ka refuzuar të tregojë se në shtëpinë e tij ka armë të tjera, gjatë bastisjes janë gjetur numër i madh i armëve të cilat lidhen me veprën penale për të cilën është duke u kryer hetime, e të cilat dëshmi do të jenë subjekt i procesimit për ekspertizë forenzike.
Në bazë të kësaj, thuhet se vërehet qartë se vepra penale ekziston dhe se dyshohet se këto vepra penale i kanë kryer të pandehurit. Për këtë arsye, Prokuroria beson se këto dëshmi janë analizuar mirë dhe vërtetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale.
Prokuroria Speciale e Kosovës me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se për sulmin në Ibër-Lepenc deri tash janë shoqëruar në polici dhjetë (10) persona. Nga dhjetë të shoqëruarit si të dyshuar, vetëm njëri nga ta gjendet nën masën e paraburgimit.
“Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt” – thuhet në komunikatë.
Në komunikatë gjithashtu përfshihet edhe, se me 1 dhjetor 2024 me vendim te Prokurorit është ndaluar edhe i dyshuari J.V nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë vepër penale. Në shtëpinë e të njëjtit është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve tjera.
“Veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar.” – thuhet ndër të tjera aty.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencë të jashtëzakonshme pas shpërthimit në Ibër-Lepenc, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me AKI-në dhe pas hetimeve intensive, kanë realizuar sot në mëngjes aksion në dhjetë lokacione, duke arrestuar tetë persona të dyshuar.
“Ky sulm terrorist s’është një sulm i rëndomte, i organizuar nga grupe dhe organizata profesioniste për kryerjen e sulmeve terroriste që shkaktojnë dëme të mëdha të infrastrukturës publike” – ka thënë ministri Sveçla.
“Pas hetimeve intenzive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona të dyshuar në stacion policor si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në.” – ka thënë ai ndër të tjera.