Medi
KOSOVËLAJME

Dyshimet se gjyqtarët po ia mbajnë anën Prokurorisë: Specialja rrëzon ankesën e avokatëve të krerëve të UÇK-së

Screenshot

Gjykata Speciale me seli në Hagë e ka rrëzuar ankesën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ata kërkonin nga gjyqtarët të mos ia mbajnë anën Prokurorisë gjatë intervistimit të dëshmitarëve.

Në vendimin që e ka parë gazeta Nacionale, gjyqtarët e Speciales kanë theksuar se nuk ka pasur ndonjë rast ku ata kanë bërë pyetje jo të duhura për dëshmitarë.

Dukato 1

Sipas vendimit, avokatët nuk kanë ofruar raste konkrete ku mbrojtja është paragjykuar, dhe ku gjyqtarët kanë favorizuar prokurorinë.

“Në lidhje me parashtresat e Mbrojtjes se shpeshtësia e përdorimit të pikave të Rregullit 102(3) dhe Rregullës 103 ka krijuar një frikë të njëanshmërisë dhe se Paneli është duke hetuar rastin e vet, Paneli kujton se ka fuqi të gjerë diskrecionale për t’u bërë dëshmitarëve çdo pyetje që gjykohet e nevojshme për sqarimin e dëshmisë të tyre. Kolegji i Gjykatës së Apelit ka vendosur që Paneli mund të përdorë pikat e Rregullës 102(3) dhe Rregullës 103 gjatë marrjes në pyetje gjyqësore. Përsëri, Mbrojtja nuk përmend ndonjë shembull specifik ku konsideron se Paneli ka keqpërdorur diskrecionin e tij të gjerë për t’iu drejtuar dëshmitarëve çfarëdo pyetje që konsiderohet e nevojshme për sqarimin e dëshmisë së tyre ose zbulimin e së vërtetës. Në lidhje me çdo paragjykim ndaj mbrojtjes, Paneli rikujton se Mbrojtja ka të drejtë të rihapë pyetjen e tyre në bazë të pyetjeve të bëra dëshmitarëve nga Paneli ose të kërkojë më shumë kohë për të shqyrtuar dokumentet nëse është e nevojshme”, thuhet në vendim.

Sipas këtij vendimi, Gjykata e Apelit në Hagë, vlerësohet se ka konstatuar se gjyqtarët mund të bëjnë çfarëdo lloj pyetje për dëshmitarët. Kjo shpesh, është kritikuar në Kosovë, pasi pyetjet e gjyqtarëve janë vlerësuar në shumë raste orientuese dhe sygjestive.

“Në lidhje me këtë, Kolegji i Apelit më parë kishte konstatuar se Rregulla 127(3), e cila ofron bazën ligjore për kompetencën e Panelit për të marrë në pyetje dëshmitarët,nuk vendos asnjë kufizim në temën e pyetjeve të Panelit për dëshmitarët. Përkundrazi, Paneli ka një kompetencë të gjerë diskrecionale për t’u bërë dëshmitarëve çdo pyetje që konsiderohet e nevojshme për sqarimin e dëshmisë së tyre ose zbulimin e së vërtetës”, thuhet në vendim.

Ankesa e avokatëve

Pyetjet e gjyqtarëve ndaj dëshmitarëve në rastin e krerëve të UÇK-së, kanë alarmuar avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Me një letër të unifikuar, mbrojtja e ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ngritur alarmin, duke kërkuar nga gjyqtarët e rastit të mos ia mbajnë anën e Prokurorisë.

Në letrën të cilën e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se pyetjet e gjyqtarëve po e shtyjnë përpara rastin e Prokurorisë, dhe nuk po e sfidojnë të vërtetën. Sipas avokatëve, ata po paragjykohen nga gjyqtarët e rastit.

“Është thelbësore që trupi gjykues jo vetëm që duhet të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të paanshme, por duhet të sigurojë edhe shfaqjen e paanshmërisë. Marrja gjyqësore e pakufizuar në pyetje e dëshmitarëve, gjatë gjithë këtyre procedurave dhe veçanërisht gjatë bllokut të provave 21 tetor 2024 – 7 nëntor 2024, është duke rrezikuar shfaqjen e paanshmërisë në këto procedura dhe duke shkaktuar paragjykim të identifikueshëm për Mbrojtjen. Siç shpjegohet më poshtë, marrja në pyetje nga gjyqtarët po çon përpara çështjen e Prokurorisë ose një çështje gjyqësore të ngjashme me të, duke marrë rolin që normalisht do të luante Prokuroria dhe duke dështuar në sqarimin ose eksplorimin e ndonjë informacioni shfajësues. Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kërkon nga trupi gjykues që të ndërmarrë hapa për të siguruar pamjen e paanësisë dhe për të kufizuar paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë marrjes në pyetje gjyqësore”, thuhet në këtë parashtresë.

Mbrojtja ka përmendur shqetësime e mëhershme që kanë pasur në këtë temë, duke theksuar edhe pranimin e disa dokumenteve të cilat ishin përdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtarët. Sipas avokatëve, fakti që dokumentet që u nxorën gjatë pyetjeve të gjyqtarëve u pranuan si prova, tregon se ka mungesë të paanshmërisë. Madje, me një vendim të korrikut 2024, gjyqtarët vendosën se nuk lejohen kundërshtime gjatë pyetjeve të gjyqtarëve.

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka përmendur dokumentet e konvenat ndërkombëtare të cilat prezantojnë rolin e gjyqtarëve, dhe elementeve që duhet të përfshijnë ata gjatë intervistimit, duke sfiduar rastin e Prokrurorisë. Sipas avokatëve, në shumë raste, gjyqtarët kanë bërë më shumë pyetje se vetë mbrojtja.

“Me respekt parashtrohet se tani kërkohen masa për të siguruar paraqitjen e paanësisë në procedurë dhe për të shmangur paragjykimet e pariparueshme ndaj Mbrojtjes. Ndikimi i pyetjeve gjyqësore është i dukshëm nga raportet periodike kohore të përgatitura nga Zyra e Regjistrimit. Deri më 11 nëntor 2024, marrja në pyetje nga gjyqtarët kishte zgjatur 71 orë 36 minuta e 34 sekonda. Kjo përbën 13 ditë kohë gjyqësore, më shumë se një bllok të tërë provash, edhe pa marrë parasysh kohën e nevojshme për marrje në pyetje shtesë pas marrjes në pyetje gjyqësore. Koha e përdorur për marrjen në pyetje gjyqësore tejkalon kohën e përdorur nga tre nga katër ekipet e mbrojtjes. Sido që të jetë, koha që i kushtohet pyetjeve gjyqësore është shumë e konsiderueshme dhe po ndikon në zhvillimin e shpejtë të këtyre procedimeve. Kjo është befasuese pasi çdo boshllëk në prova duhet të adresohet nga palët përmes rishqyrtimit, ndërsa pyetja gjyqësore, e cila zakonisht është për të sqaruar aspektet e provave, nuk duhet të zgjasë më shumë se ajo e një pale në procedure”, thuhet në këtë letër më tutje.

“Megjithatë, më shqetësuese se koha e marrë është mënyra në të cilën kjo pyetje gjyqësore do të perceptohej nga çdo shikues i arsyeshëm. Kjo gjithashtu mund të matet nga raportet periodike kohore. Që nga 11 nëntori 2024, Mbrojtja kërkoi kolektivisht 31 orë e 23 minuta për pyetje të mëtejshme pas marrjes në pyetje gjyqësore; Prokuroria ka shfrytëzuar 12 minuta. Prandaj, Mbrojtjes i është dashur të përdorë më shumë se 100 herë më shumë se sa kohë për marrjen në pyetje të Prokurorisë. Pabarazia e madhe në këto shifra e bën të qartë marrjen në pyetje nga gjyqtarët. Qartë, perceptimi i mbrojtjes ka qenë se ka pasur nevojë për t’iu përgjigjur pyetjeve gjyqësore, ndërsa perceptimi i Prokurorisë është se nuk ka pasur një nevojë të tillë”, thuhet më tutje./Nacionale

Koha