Aquapark 1
02KOSOVËLAJME

Dyshohet se “Beni Dona” e furnizoi Njësitin Special në Mitrovicë me ushqim pa afat

Kompania “Beni Dona” që furnizon me ushqim njësitet elite të Policisë së Kosovës dyshohet që u ka dërguar atyre ushqime me afat të skaduar.

Denoncimin për këtë e kanë bërë efektivët e Njësisë Speciale për Intervenim dhe dyshimet i kanë lajmëruar tek hetuesit rajonalë në Mitrovicë.

Premium Store

E dhëna është publikuar në raportin e shpejtë të hetuesisë, të cilin e ka siguruar KOHA.

“Më datë 06.09.2022, në ora 17:50, hetuesit rajonalë kanë pranuar informatë se NJSI me bazë në Kampin Belveder në Lagjen e Bairit në Mitrovicë ka një ankesë për furnizuesin e ushqimit të tyre, kompaninë Beni Dona SHPK”, thuhet në raport.

Sipas raportit, hetuesit kanë shkuar në Njësinë Speciale dhe kanë fotografuar produktet ushqimore që dyshohet se u ka skaduar afati rreth një muaj me parë.

“Hetuesit i janë përgjigjur kësaj informate dhe kanë kontaktuar me zyrtarë të kësaj njësie, nga të cilët janë njoftuar se furnizuesi i ushqimit, kompania Beni Dona SHPK me seli në Prishtinë, më datë 4 dhe 5 shtator 2022 kishte sjellë ushqim të konservuar me afat të skaduar. Hetuesve, nga zyrtarët e NJSI u janë prezantuar ushqime të konservuara të llojit peshk-sardele, të cilave u kishte skaduar afati i përdorimit më 12.8.2022. Krimtekniku ka bërë fotografimin e ushqimit të skaduar, thuhet tutje në raport.

Hetuesit policorë së bashku me inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kanë shkuar në njërën nga depot e kompanisë “Beni Dona”. Raporti thotë se aty kanë hasur edhe në një problem tjetër.

“Në vendngjarje kanë dalë edhe inspektorët sanitarë të AUV-it, të cilët në cilësinë e provës materiale kanë marrë ushqimet e konservuara me afat të skaduar dhe mostra nga racionet me ushqim të nxehtë për ekzaminim. Inspektorët e AUV-it kanë inspektuar edhe depon e kësaj kompanie, të cilët kanë vlerësuar se ushqimet në depo nuk ruheshin sipas standardeve të parapara, pasi temperatura në depo që duhet të ishte 4-6 gradë celsius, ishte 20 gradë celsius”, shkruan në raport.

Sipas raportit, hetuesit përmes telefonit kanë kontaktuar prokurorin kujdestar, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rast për veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”.

Në raport është evidentuar e dhëna se pjesëtarët e Njësisë Elite të Policisë kanë konfirmuar konsumimin e ushqimit pa afat.

“Vlen të ceket se, sipas zyrtarëve të kësaj njësie, besohet se një pjesë e këtij ushqimi me afat të skaduar është konsumuar nga pjesëtarë të Policisë, mirëpo deri më tani nuk është paraqitur ndonjë ankesë për ndonjë helmim të mundshëm”, thuhet tutje në raport.

Në fillim të vitit KOHA ka raportuar për disa hetime që po zhvilloheshin kundër kompanisë “Beni Dona” për falsifikim në tenderët me ushqim në disa institucione, përfshirë edhe në atë për Forcën e Sigurisë. Sipas burimeve, njëri rast hetimor është mbyllur, e tjetri është ende në procedurë.

Heshtja e “Beni Donës”

Pasi KOHA e ka siguruar raportin e Policisë së Kosovës, ku janë të paraqitura dyshimet së Njësia Speciale ishte furnizuar me ushqim pa afat, televizioni ka provuar ta kontaktojë edhe Policinë e Kosovës e edhe kompaninë “Beni Dona”.

Kompanisë i janë dërguar pyetjet në email. Televizioni ka provuar ta telefonojë pronarin e kësaj kompanie, Ragip Mustafa, por nuk ka arritur të vërë kontakt me të. Ai është njoftuar përmes mesazhit për arsyet pse është telefonuar.

Po ashtu KOHA ka telefonuar numrin që kompania “Beni Dona” e ka të publikuar në faqen e saj në Facebook. Personi që është përgjigjur ka thënë se merren vetëm me ndërtim dhe se për pjesën e ushqimit është dikush tjetër përgjegjës. Ai është lutur ta njoftojë pronarin për interesimin e televizionit, por ka thënë që është vonë dhe nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. As ushtruesi i detyrës së Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, nuk u është përgjigjur mesazheve e telefonatave të gazetës.

Premium Store