EKONOMIKOSOVËLAJME

E frikshme: Afër 200 kompani gjermane paralajmërojnë ikjen nga Kosova

Mos-stabiliteti i politikës në Kosovë dhe situata e brishtë e sigurisë, e paralajmëruar edhe nga emisari amerikan, Gabriel Escobar, si potenciale për shpërthim të ndonjë konflikti rajonal, është duke ndikuar në strategjinë e investorëve potencialë në Kosovë.

Madje, paralajmërimet e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare janë se vetëm për shkak të situatës së tensionuar në Veri të Kosovës nga 26 maji, mbi 198 kompani gjermane mund të largohen.

Market Florenti
Florenti Company
Koha
Market Florenti

Sipas njohëseve të ekonomisë, rrezikimi i investitorëve të huaj mund të sjell dëmtime madhore e në të njëjtën kohë gabime të cilat s’mund të përmirësohen nga Kosova.

Profesori universitar në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skenderi, në një bisedë për Albanian Post konsideron se një paralajmërim i tillë mund të sjell “pasoja të paparashikuara për Kosovën”.

“Faktet tashmë i kemi në sipërfaqe, paralajmërimet e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare se investitorët gjermanë janë mjaft të shqetësuar për situatën e fundit të sigurisë në Veri, është sinjal mjaft i qartë se në një të ardhme mjaft të afërt ata mund të largohen”, deklaroi ai.

Një sinjal i tillë tregon edhe se investitorët e vendeve të tjera mund të marrin hapa të ngjashëm sikurse ata të Gjermanisë.

“Jo që nuk do të kemi investitorë të rinj potencialë në vendin tonë, por edhe ata që janë aktualisht me aktivitete të ndërmarrësisë në Kosovë, do të largohen. Kjo u hap rrugën edhe investitorëve nga vendet e tjera të ndjekin të njëjtën rrugë”.

“Kosova në fazë të rrezikut”

Edhe për njohësin e çështjeve të Ekonomisë, Imer Raçi, Kosova vetëm se ka hyrë në fazën e rrezikut për shkak të situatës politike.

“Mungesa e stabilitetit politik mund të përcillet me politika jo të favorshme monetare e fiskale. Pra, kjo i kufizon të parashikojnë një periudhë të gjatë për biznesin e tyre dhe nuk mund të punojnë në parimin e vijimësisë”, thotë ai për AP.

Raçi tutje ka sqaruar se natyrshëm kjo do të rezultojë edhe me humbjen e vendeve të punës për të rinjtë.

“Humbja e investitorëve ndikon negativisht në nivelin e zhvillimit ekonomik të Kosovës e edhe në zhvillimin human sepse kjo do të ketë pasoja me humbjen e vendeve të punës nga shumë të rinj, pse jo deri ne migrimin e tyre”.

Përfundimisht, “ikje e parasë nga Kosova”.

“Kosova nuk mund te zhvillohet pa investime te huaja në kapital, sepse kapitalet aktivizojnë resurset humane”, deklaron Raçi duke sqaruar se në hallkën e fundit të zinxhirit, është qytetari ai që humbet më së shumti.

“Qeveria të informojë bizneset për vendimet që merr”

Edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), pas paralajmërimet të Odës Gjermane, ka apeluar te bizneset për maturi dhe kujdes.

“Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë të saj me zhvillimet e fundit që po prekin edhe zhvillimet ekonomike të vendit”, është thënë nga OEK.

Tutje është thënë se të gjitha çështjet të cilat janë të hapura që mund të zgjidhen me dialog të negociohen përmes një dialogu “të hapur, transparent dhe në koordinim të plotë me miqtë ndërkombëtarë”.

“Si dhe OEK apelon tek institucionet e Republikës së Kosovës që bizneset të paralajmërohen paraprakisht për çfarëdo vendimi që merret e që prek bizneset, ashtu që bizneset të kenë kohë të përgatiten dhe të mbrojnë veten dhe konsumatorët nga masat që do të merren”.

Oda Gjermane: Investitorët tonë në Kosovë mund të heqin dorë ose të ndërpresin aktivitetet

Më 15 qershor, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka reaguar për situatën aktuale në Veri të Kosovës, duke thënë se janë të shqetësuar për kompanitë që mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë.

Përmes një komunikate për media nga kjo Odë është thënë se si përfaqësues të 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, OEGJK në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara.

“Anëtarët e OEGJK-së janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese. Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme”.

“Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes”.

Sipas Odës Gjermane, lehtësimi i tensioneve dhe nxitja e zhvillimit të një mjedisi të qëndrueshëm janë faktorë të rëndësishëm për krijimin e një klime të mirë të të bërit biznes./Gazeta10/