Premium Store
02LAJME

E konfimon Policia: Pesë të lënduar nga aksidenti në Lipë, ndër ta dy zyrtarë policorë, një fëmijë i lënduar rëndë

Pak minuta më parë “Mitropol” raportoi për një aksident të rëndë trafiku që kishte ndodhur në rrugën që çon drejt fshatit Lipë, ku janë përfshirë një veturë e tipit Golf 2 dhe një xhip policor.

Si pasojë e përplasjes së fuqishme, pesë persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe zjarrfikësit për nxjerrjen e të lënduarve nga vetura.

Active

Sipas dëshmitarëve okularë, përplasja ka qenë e fortë dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, veçanërisht në veturën civile, e cila ka mbetur e shkatërruar pothuajse tërësisht në pjesën e përparme. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë prezencë të madhe të njësive emergjente, autoambulancave dhe zyrtarëve policorë që po menaxhonin situatën.

Lajmin e ka konfirmuar për “Mitropol” edhe zyrtari i trafikut rajonal nga Policia e Kosovës, Stacioni Policor Mitrovicë e Veriut, Munish Avdiu. Ai ka bërë të ditur se nga ky aksident janë lënduar gjithsej pesë persona, tre civilë dhe dy zyrtarë policorë.

“Një fëmijë ka pësuar lëndime pak më të rënda, por sipas informatave të para, fatmirësisht të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë”, ka deklaruar Avdiu.

Sipas informacioneve zyrtare, tre civilët e lënduar janë duke u trajtuar në Spitalin e Mitrovicës së Veriut, ndërsa dy zyrtarët policorë janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Jugut “Dr. Sami Haxhibeqiri”.

Rrethanat që çuan deri te aksidenti janë ende objekt hetimi nga njësitë kompetente të Policisë së Kosovës./Mitropol/

Active