E papritur: VV e PDK bëhen bashkë në këtë komunë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, pritet të bashkojnë forcat në komunën e Fushë Kosovës, për zgjedhjet që do mbahen të dielën, me 14 nëntor.
Këto dy parti që para raundit të barë të zgjedhjeve kanë bërë një marrëveshje në parim, nëpërmjet së cilës cila do nga partitë që arrin në balotazh do ta mbështesë njëra tjetrën.
“Në balotazh presim mbështetje nga elektorati opozitar kundër një keqqeverisje 20-vjeçare në Fushë-Kosovë. Është një kauzë e përbashkët që ndryshimi të ndodhë. Kemi një marrëveshje në parim (me PDK-në v.j.) dhe është vullneti prej fillimi që ta mbështesim njëri-tjetrin kushdo që është në balotazh”, ka thënë për KOHËN, Enver Bajçinca.
Edhe kryetari i Degës së PDK-së në Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, i cili ka qenë edhe kandidat për kryetar të kësaj komune, ka thënë se kanë pasur një dakordim ndërmjet tyre që ta mbështesin njëri-tjetrin cilido që kalon në rrethin e dytë të votimit.
“Qëllimi jonë është që ta largojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin në Komunën e Fushë- Kosovës, degradimin dhe keqqeverisjen që ka ndodhur për 20 vjet. Ne kemi pasur ofertë nga LDK-ja, por as që kemi pranuar të takohemi me ta, pavarësisht posteve që na janë ofruar. Ne duam ta largojmë të keqen që e ka mbërthyer qe 20 vjet komunën tonë”, ka theksuar Tërnava.
Zyrtarisht deri tash në këtë komunë është arritur marrëveshje ndërmjet LDK-së dhe AAK-së.








