
“Maxi – Supermarket” në Prishtinë është një prej shumë bizneseve në Kosovë që kanë rënë në hall me gjetjen e punëtorëve.
Vetëm në një pikë në kryeqytet, ky biznes ka mangët tre punëtorë në pozitën e shitësit, thotë menaxherja Vilda Pajaziti.
“Zakonisht në konkurse aplikojnë shumë, por pastaj nuk vijnë për arsye të ndryshme. Për shembull, nuk u përshtatet orari i punës, kanë probleme me udhëtim e të tjera”, shprehet Pajaziti.
Vilda, e cila që 18 vjet punon në këtë biznes thotë se, problemi i mungesës së punëtorëve është shfaqur që nga fillimi i pandemisë COVID-19, në pranverë të vitit të kaluar.
“Të rinjtë, siç duket, nuk duan të punojnë”, thotë ajo.
Orari i punës në kompaninë e saj është 8 orë dhe 30 minuta pauza e drekës dhe është me ndërrime paradite dhe pasdite. Vlera e pagës, ndërkaq, nuk bëhet e ditur.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020, ka qenë 380 euro.
Kompanitë mund të përballen me mungesë të punëtorëve, por papunësia është një nga problemet më të mëdha që e përcjell shoqërinë kosovare me vite.
Shkalla e papunësisë në Kosovë këtë vit shënon afro 26 për qind. Krahasuar me vitin e kaluar, ka rritje për 0.8 për qind. Përkundër kësaj, në Agjencinë e Kosovës për Punësim bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se numri i përgjithshëm i punëkërkuesve të regjistruar në këtë zyrë është 120 mijë.
Drejtori i agjencisë, Drin Haraqia, thotë se vetëm gjatë këtij viti, 12,000 persona janë regjistruar si të papunë. Ai thotë se ka ankesa edhe nga punëkërkuesit se nuk gjejnë punë, por edhe nga punëdhënësit se nuk gjejnë punëtorë.
“Kushtet e punës dhe paga janë dy faktorë esencialë që nuk ka fuqi punëtore dhe bizneset e kanë të vështirë të sigurojnë punëtorë në bazë të profileve të kërkuara”, thotë Haraqia.
Krasniqi: Mungesë e punëtorëve të kualifikuar








