Ekskluzive: Dy minatorë të Trepçës dërgohen sërish në Spital, u përkeqësuan pas futjes në horizontin XI

13 minatorë të minierës së Trepçës pësuan nga acidi sulfurik që u derdh në horizontin e XI dy ditë më parë, 2 prej të cilëve pësuan lëndime serioze në fytyrë dhe ndodheshin në gjendje të rëndë duke u trajtuar në Spital, shkruan “Mitropol”.
Përmes një postimi në Facebook ndërmarja Trepça Sh.A kishte deklaruar se në horizontin e XI, ka ndodhur aksidenti gjatë pastrimit të gypave të pompave me acid sulfurik.
Pas këtij incidenti, puna në minierë u ndërpre dhe miniera dje ishte në pushim.
E sot, pas rikthimit në punë, dy minatorëve të horizontit XI iu përkeqësua gjendja shëndetësore sërish si pasojë e erërave që kanë mbetur ende në horizont, bëjnë të ditur burime ekskluzive të “Mitropol.
Pas incidentit ndërmarrja kishte gënjyer se ekipet shpëtuese të minierës në krye me udhëheqësin e Njësisë Biznesore, Bahri Karaça kishin reaguar me shpejtësi për evakuimin e punëtorëve të lënduar nga miniera dhe dhënien e ndihmës së parë duke vazhduar me trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin Rajonal të Mitrovicës..
Por, burime të “Mitropol” demnatuan këtë lajm duke disa orë më pas bërë të ditur se ngjarja nuk rodhi ashtu. Dy minatorët që pësuan djegie në fytyrë në horizontin e XI-të u nxorën deri në horizontin e X-të nëpërmjet spiraleve, meqë çasja tek ‘korpat’ ishte e pamundshme për shkak të tymit dhe aromës së acideve në koridor. Të njejtit nuk u nxorën jashtë nga ekipi i shpëtimit siç deklaroi ndërmarrja. “Mitropol” mëson se ata u nxorën jashtë nga horizonti i X-të me ndihmën e ashensorit, të shoqëruar nga katër kolegë të tyre minatorë të të njejtit horizont.
Edhe minatorët e tjerë që kishin pësuar lëndime më të lehta nuk u nxorën nga ekipet e shpëtimit. Ata arritën që të dalin nga horizonti i XI-të me forca vetanake.
Pas raportimit të “Mitropol” për incidentin dhe rrenën e menaxhmentit, Bahri Karaça u shkarkua nga detyra./Mitropol/








