
Një konflikt mes dy grupesh të rinjsh i dy netëve më parë në Vushtrri në Vushtrri përfundoi tragjikisht, me vrasjen e 27-vjeçarit, Fatos Zenuni (Jashari) dhe plagosjen e dy personave të tjerë, Liridon Musliu dhe Ilmi Shaqiri, rast ky për të cilin raportoi ekskluzivisht “Mitropol”.
Zenuni dyshohet se u qëllua për vdekje me armë zjarri (kallashnikov), teksa dy persona të tjerë mbetën të plagosur në vendin e ngjarjes, trajtimi i të cilëve u bë fillimisht në Spitalin e Vushtrrisë, e pastaj u dërguan për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK në Prishtinë.
“Ju informojmë se në Emergjencën e Spitalit “Sheikh Zayed” janë sjell nga një automjet privat 3 persona të plagosur, njëri prej tyre rëndë. Pas ekzaminimit nga mjeku kujdestar janë transferuar për në QKUK”, kishte konfirmuar drejtoresha e Spitalit, Shefkie Shatri.
Dy personat që pësuan plagë nga të shtënat me armë, Liridon Musliu dhe Ilmi Shaqiri vazhduan trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Burime ekskluzive të “Mitropol” konfirmuan se edhe viktima Liridon Musliu humbi jetën gjatë trajtimit në Mjekim Intensiv mbrëmë në ora 23:10, pasi nuk arriti t’i bënte ballë plagëve që mori në sulmin e së dielës së 29 tetorit.
Këtë për “Mitropol” e konfirmoi edhe Zyra për Informim e ShSKUK.
“Ju konfirmojmë se përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve dhe infermierëve të QKUK-së, mbrëmë, në ora 23:10, për shkak të gjendjes shumë të rënduar shëndetësore, nuk arritur të mbijetojë pacienti i plagosur.”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre për “Mitropol”.
Numri i të arrestuarve për rastin siç njoftoi Policia e Kosovës dje, ka shkuar në pesë, ndërkohë që janë zbuluar detaje të reja për motivin e këtij krimi të rëndë që la të vdekur Fatos Zenunin dhe Liridon Musliun.
Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 16:00, në rrugën “Mehmet Konjuhi” në Vushtrri, ku dy grupe, ku përfshihej viktima Fatos Zenuni dhe të dyshuarit, Jetmir Sinani, Edin Beka dhe të tjerët fillimisht u përleshën mes vete, derisa Sinani nxori armën dhe shkrepi.
Pesë personat që ranë në prangat e Policisë tashmë ndodhen në ndalim policor. I dyshuari kryesor lidhur me rastin është Jetmir Sinani, 24-vjeçar, i cili po hetohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, teksa katër të arerstuarit e tjerë, duke përfshirë edhe Edin Bekën, po dyshohen për veprën “Pjesëmarrje në rrahje”.
Palët e përfshira, të ndara në dy grupe fillimisht janë rrahur mes vete dhe motivi dyshohet se lidhet me një rast të mëhershëm, pra një përleshje që dyshohet se kishte ndodhur në mes tyre, por që nuk kishin arritur t’i qëronin hesapet.
Edhe në konfliktin që kanë pasur më parë, viktima dhe shokët e tij kanë qenë të përfshirë në njërën anë dhe në anën tjetër i dyshuari që e vrau bashkë me shokët e tij, disa prej të cilëve janë arrestuar për përleshjen e mbrëmshme.
Pasi Fatos Zenuni u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i vdekur në vend, shokët e tij, që ndodheshin bashkë me të në momentin kritik dyshohet se janë larguar me disa vetura dhe tashmë po kërkohen nga Policia.
Teksa Prokuroria është në përgatitje të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, Policia në koordinim me prokuroren e rastit janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar prova që zbardhin rrethanat e rastit.
Këtë e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.







