Elezi: Një koalicion deri tani është regjistruar, dy parti njoftuan se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se është duke vazhduar deklarimi i partive politike për formimin e koalicioneve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Ai ka pohuar se deri më tani KQZ-ja ka pranuar deklarimin e një koalicioni ndërmjet dy partive politike të regjistruara: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024 (16:00) ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen”.
“Gjithashtu, partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje. Më 30 gusht 2024 (16:00) përfundon edhe afati për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mospjesëmarrje në zgjedhje. Deri më tani, partitë politike të regjistruara, Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëvizja për Bashkim, kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje”, ka thënë Elezi.