Erkan Tullumqe “kurthohet” për arrestim nga Policia me arsyetimin se ndodhej në arrati nga shteti gjersa ndodhej në burg

Policia arrestoi sonte në formë “kurthimi” Erkan Tullumqen mbi dyshimet për një rast të lëndimit të rëndë trupor që dyshohet se i ka shkaktuar Shkëlqim Salihut në qershor të vitit 2024, të birit të Jeton Salihut i cili u therr sonte nga vëllau i Erkan Tullumqes, Llukman Tullumqe.
Por, “Mitropol” ka arritur të mësoj detaje ekskluzive se si erdhi deri tek arrestimi i Erkan Tullumqes për rastin me Shkëlqim Salihun.
Gjithçka nisi kur sot gjatë ditës, babai i Erkanit shkoi në Policinë e Kosovës si palë e dëmtuar për ta raportuar një rast të sulmit ndaj tij, siç ka deklaruar ai në Polici, nga Shkëlqim Salihu si pasojë e një historie të gjatë mosmarrëveshjesh mes dy familjeve. I dyshuari për këtë rast, Shkëlqim Salihu, pas marrjes së deklaratës nga Policia u lirua në procedurë të rregullt.
Pasi dha deklaratën, Policia i tha babait të Erkanit se do aplikojnë edhe për deklaratën e Erkanit vet, i cili në momentet sa babai i tij ndodhej në stacion duke dhënë deklaratën, komunikoi me te përmes telefonit.
Kur Policia shkoi për ta marrë deklaratën e Erkanit për sulmin e sotëm ndaj babait të tij, Policia e “kurthuan” atë dhe e arrestuan për rastin që kishte ndodhur mes tij dhe Shkëlqim Salihut në qershorin e vitit të kaluar, me arsyetimin se ndodhej në arrati, ani pse i njejti siç mëson “Mitropol” nga burimet e veta, bazuar në vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës ndodhej në vujatje të dënimit me burg për një rast tjetër dhe ndodhej i burgosur nga 18 tetori 2024 deri më 14 mars 2025, pra deri para 9 ditësh kur edhe u lirua me kusht nga Paneli për Lirim me Kusht për shkak të sjelljes së mirë gjatë kohës së burgimit.
Andaj, edhe arrestimi i tij me pretendimin se ndodhej në arrati nga shteti është i palogjikshëm bazuar në rrjedhën faktike të ngjarjes.
Për rastin e 18 tetorit Erkan Tullumqe ishte vetdorëzuar në Hajvali.
E sonte, rreth orës 20:00, “Mitropol” mëson ekskluzivisht se vëllau i Erkan Tullumqes, Llukman Tullumqe në formë të hakmarrjes për sulmin ndaj babait të tij nga anëtarë të familjes Salihu, ka shkuar tek shtëpia e familjes Salihu dhe ka sulmuar Jeton Salihun, babain e Shkëlqim Salihut dhe i njejti vazhdon të gjendet në arrati./Mitropol/
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.