Escobar për sulmin në Banjskë: Nuk po i kërkojmë Serbisë hetim për 24 shtatorin, por llogaridhënie
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e dinarit.
Sipas tij, Kurti ka refuzuar propozimet lidhur me dinari, duke thënë se është vendim i BQK-së, në të cilin ai nuk do të përfshihet.
Escobar tha se nuk pajtohet me deklarimet se ky vendim u mor për t’i ndëshkuar serbët, por se u bë nga mungesa e kompetencës.
“Kryeministri tha se ky është një vendim i një institucioni të pavarur, në të cilin ai nuk dëshiron të përfshihet, ose që kjo është një telashe për njerëzit që mund të tejkalohet lehtësisht, ose që mund të zëvendësohet me pagesa nga Qeveria e Kosovës”, tha Escobar.
Ai shtoi se – “Vetëvendosja nuk ka një histori të gjatë qeverisjeje dhe se nganjëherë ka njerëz që nuk i mendojnë pasojat deri në fund”.
“Por, asnjëra nga këto nuk do të ndodhë shpejt. Për këtë arsye, ne po kërkojmë shtyrje të zbatimit. Tani, unë e kuptoj, normalisht, që një Bankë Qendrore dhe Ministria e Financave e bëjnë më të mirën e tyre për të mos krijuar jostabilitet dhe paparashikueshmëri në ekonomi. Ato e bënë pikërisht këtë gjë. Tani ka disa jashtë që besojnë se kjo u bë për t’i ndëshkuar serbët. Unë nuk e besoj këtë. Por, unë besoj që – meqë kjo Qeveri e Vetëvendosjes nuk ka një histori të gjatë qeverisjeje – nganjëherë ka njerëz që nuk i mendojnë pasojat deri në fund”, tha ai.
Tutje Escobar foli edhe për sulmin në Banjskë ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor tha se mendohet se ka pasur disa organizata të financuara dhe se Serbisë po i kërkojnë llogaridhënie e jo hetim të sulmit.
“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por po e hetojmë në tërësi. Ne nuk po i kërkojmë Serbisë hetime të 24 shtatorit [kur ndodhi sulmi në Banjskë], ne po i kërkojmë llogaridhënie”, tha Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.