Ferit Idrizi denoncon për kanosje kundërkandidatin nga VV-ja, ngjarja ndodhi pas një debati televiziv

Kryetari i Vushtrrisë nga PDK, Ferit Idrizi e ka denoncuar në Policinë e Kosovës për kërcënim, Sylejman Mehollin e Vetëvendosjes me të cilin do të përballet në balotazhin e 9 nëntorit.
Idrizi pretendon se është kërcënuar nga kundërkandidati Meholli, pas xhirimit të një debati te gazetarja Jeta Xharra në Prishtinë.
“Bashkë me dëshmitarët tjerë, sapo kemi dhënë dëshminë në stacionin e policisë në Prishtinë. Rasti është në trajtim nga institucionet përkatëse.”, tha Idrizi.
Ai mes tjerash tha se e dënon këtë akt dhe ju kërkon ndjesë qytetarë e për shqetësimin. Ai potencoi se beson që gara për Vushtrrinë duhet të mbetet garë idesh dhe projektesh, jo kërcënimesh.
“Unë do të vazhdoj të përfaqësoj secilin qytetar me përgjegjësi dhe dinjitet. Faleminderit nga zemra për secilën thirrje dhe mesazh!”, shkroi Idrizi në Facebook.
Lajmin për këtë rast e ka konfirmuar, Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për Prishtinë Enis Pllana ka thënë se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin.
“Sot rreth orës 17:30 është pranuar informata për një Kanosje në rrugën Xhorxh Bush në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen.”, tha Pllana.








