
Ferit Idrizi sot ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore për humanistin e doktorin, Safet Idrizi, i cili njëherit ishte edhe vëllai i tij, shkruan Mitropol.
Idrizi tha se Dr.Safet Idrizi mbetet krenaria më e madhe e familjes dhe frymëzim që të vazhdojnë rrugën e tij me përkushtim.
Postimi i plotë:
Sot bashkë me familjen, miqtë dhe qytetarët e Vushtrrisë, kujtuam njeriun që gjithë jetën ia kushtoi shërbimit ndaj atdheut, humanistin, mjekun dhe luftëtarin e lirisë, dr. Safet Idrizi.
Në këtë 5-vjetor të ndarjes së tij nga jeta, e nderuam figurën e një njeriu që nuk njohu lodhje kur bëhej fjalë për atdheun dhe për njerëzit në nevojë. Ai nuk jetoi për veten, por për të tjerët.
Shembulli, përkushtimi dhe humanizmi i tij do të mbeten përherë udhërrëfyes për ne dhe për gjeneratat që vijnë.
Vëllai im, dr. Safet Idrizi, mbetet krenaria më e madhe e familjes sonë dhe frymëzim për ne që të vazhdojmë rrugën e tij me përkushtim. Në kujtim të jetës dhe veprës së tij, do të vazhdoj me ndershmëri e përkushtim rrugën e tij, rrugën e shërbimit ndaj njerëzve, ndaj Vushtrrisë tonë.
Gjatë Akademisë Përkujtimore u shfaq dokumentari: “Safet Idrizi – Mjeku luftëtar i lirisë”, nga autori Prof. Dr. Nusret Pllana. Një falënderim i veçantë për Prof. Pllanën për punën e tij të jashtëzakonshme si dhe për të gjithë të pranishmët që morën pjesë në Akademi.
Kujtimi për dr. Safet Idrizin do të mbetet i gjallë në çdo zemër që ai preku me mirësinë dhe profesionalizmin e tij.







