
Kosovari Egzon Ibrahimi është renditur ndër 500 personat më me ndikim në botën islame, sipas publikimit prestigjioz The Muslim 500, të hartuar nga Royal Islamic Strategic Studies Centre me seli në Amman të Jordanisë.
Ibrahimi është vlerësuar në kategorinë e recituesve melodikë të Kuranit, si një prej zërave më të njohur dhe më të vlerësuar në nivel global për bukurkëndimin e Kuranit Famëlartë.
Si artist islam me famë botërore dhe projekte të shumta ndërkombëtare, Egzon Ibrahimi prezantohet krenarisht si shqiptar i Kosovës, duke promovuar gjuhën shqipe, kulturën dhe popullin shqiptar në mbarë botën, duke e shndërruar suksesin e tij personal në vlerë kombëtare.








