LAJME

Festa e Kurban Bajramit dhe Vidovdani në të njëjtën ditë, Policia del me njoftim

Policia e Kosovës ka dalë me njoftim rreth masave që kanë ndërmarrë sipas detyrës së tyre zyrtare pasi gjatë ditës së nesërme shënohet festa e Bajramit të Kurbanit e cila është e mbushur me aktivitete nga besimtarët myslimanë, si dhe Vidovdani që po ashtu është paralajmëruar edhe këtë vit të shënohet me aktivitete nga qytetarët serbë.

Sipas Policisë, me qëllim që situata të kalojë qetë dhe pa incidente, janë paraparë disa masa dhe objektiva strategjike për implementim gjatë ditës së nesërme, si në vijim:

Florenti Company
Market Florenti
Market Florenti
Koha

• Parapërgatitja dhe ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në mënyrë që aktivitetet të zhvillohen në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike.

• Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike.

• Garantimi i lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët.

• Kontrollimi dhe menaxhimi i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale.

• Angazhimi i njësiteve policore për ri-orientim të trafikut në ato rrugë ku mund të ketë ndërprerje të përkohshme të rrugës apo të ndonjë korsie.

• Zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës.

• Festa e Vidovdanit mbahet në Graçanicë duke filluar nga ora (07:00), andaj do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës, konkretisht në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes Veterrniku, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit.

“Referuar planifikimeve policore, menaxhmenti i lartë i PK-së kanë pritur në takim zyrtarë partnerët ndërkombëtar, të cilët i kanë njoftuar lidhur me planifikimet dhe aktivitetet policore për ditën e nesërme, planifikime këto që kanë për qëllim krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët.

Njëkohësisht Policia fton qytetarët që të festojnë në mënyrë të qetë dhe kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit në trafik me rastin e ndërprerjes së përkohshme të rrugëve apo korsive përgjatë kohës së festimeve, pasi sipas nevojës do ti ridrejtojë automjetet në rrugë alternative për qarkullim dhe lëvizje pa pengesa”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.