
Grupi i pjesëmarrësve nga Kosova në festivalin “Mirëdita, dobar dan”, është ndaluar në hyrje të Beogradit.
Raportohet se atyre është duke iu cenuar siguria.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, mbahet në Beograd çdo qershor dhe prezanton publikun e Beogradit me skenën kulturore të Kosovës, si një kontribut kulturor të aspiratave të përgjithshme të krijimit të përhershëm të paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ideja kryesore e festivalit është fillimi i takimeve dhe shkëmbimeve kulturore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që këto takime të bëhen traditë dhe vazhdimisht të kontribuojnë në bashkëpunimin e të dy shoqërive për të përmirësuar marrëdhëniet shoqërore, politike dhe kulturore.
Gjatë këtij festivali, mbahen debate publike që do të shqyrtojnë në mënyrë kritike marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga pikëpamja e trashëgimisë të së kaluarës, si dhe për perspektiva për bashkëpunim në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit, sportit, sektorit civil dhe të gjitha segmenteve të shoqërisë./Express