
Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë të qëndrojnë afër qytetareve edhe në situata pandemike.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i departamentit të Mjekësisë në ministrinë e Mbrojtjes, Xhevdet Tahiraj i cili tha se janë të obliguar që të hapin kapacitetet në drejtim të ofrimit të shërbimeve mjekësore, për shkak të pandemisë.
“Unë e përfaqësoj ministrinë e Mbrojtjes në disa komisione që kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë Covid-19 në nivel vendi, edhe ministri e ka paraqitur si kapacitet qendrën tonë mjekësore në rast të eskalimit të rritjes enorme të rasteve me infeksion. Edhe na jemi pjesë e Kosovës dhe në rast se kërkohet një gjë e tillë ne jemi të obliguar që të hapim kapacitetet tona në drejtim të ofrimit të shërbimeve mjekësore, për shkak të pandemisë”, u shpreh ai.
I njëjti ka bërë të ditur se ka ndikuar institucionet në menaxhimin e pandemisë çdo herë kur ata kishin nevojë, :” ne si FSK i kemi ndihmuar në shumë drejtime si në aspektin logjistik kudo që ata kanë pasur nevojë e si në dërgimin e kontejnerëve nëpër pika kufitare, pastaj dërgimin e tendave para shumicës së spitaleve si QKUK dhe të tjera, si dhe dërgim të personelit tonë në qendra spitalore që t’i mbështesim ata. Pra ne jemi në dispozicion të tyre”, shtoi ai.
Tutje, Tahiri bëri të ditur se aktualisht asnjë pjesëtarë i FSK-së nuk është i prekur me COVID-19.








