
Gazetari Florent Zeqaj ka publikuar një listë prej 11 pyetjesh, të cilat sipas tij duhet të marrin përgjigje nga institucionet e sigurisë së Kosovës dhe nga intelektualët e Vetëvendosjes, lidhur me figurën e Dejona Mihajlit, e cila së fundmi ka qenë në qendër të debateve publike.
Zeqaj kërkon sqarime mbi biografinë, kontributin dhe ndikimin e saj politik, si dhe mbi vendimet institucionale që lidhen me të. Ai thekson se opinioni publik ka të drejtë të dijë më shumë rreth rolit dhe kredencialeve të saj.
Në vijim, pyetjet e ngritura nga gazetari:
1. Kush është realisht Dejona Mihajli, përtej imazhit të krijuar nga rrethet e caktuara politike?
2. Pse një pjesë e intelektualëve të VV-së i janë nënshtruar kaq verbërisht një figure që publiku ende nuk e njeh në thelb?
3. Cili është kontributi i saj personal dhe i familjes së saj për çështjen kombëtare, për lirinë e Kosovës dhe për shtetndërtimin?
4. Çfarë të mire konkrete ka sjellë ajo për Kosovën që e bën të trajtohet si figurë me “peshë”?
5. A është Kosova kaq e varfër në intelektualë, ekspertë dhe personalitete, saqë duhet ngritur në piedestal një personazh me biografi të paqartë dhe pa kontribute të njohura?
6. A ka përgjegjësi AKI-ja që i ka lejuar hyrjen në Kosovë, duke ditur se gjatë qeverisë Hoti asaj i ishte vendosur ndalesë hyrjeje?
7. Për çfarë arsye ishte vendosur fillimisht kjo ndalesë?
8. Çfarë informacioni kishte AKI-ja asokohe?
8+. Pse kjo ndalesë u hoq menjëherë pas ardhjes së VV-së në pushtet?
9. Kush e kërkoi heqjen e ndalesës?
10. Kush e urdhëroi?
11. Me çfarë arsyetimi?
Zeqaj thotë se këto pyetje janë thelbësore për transparencë dhe për të kuptuar më mirë figurën e Dejona Mihajlit, si dhe vendimet institucionale që kanë ndikuar në statusin e saj aktual në Kosovë.








