Gërvalla: Do të vazhdojmë të hapim ura, veprimet tona s’janë provokime
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një panel diskutimi gjatë ditë së martë në Bled të Sllovenisë ka folur edhe për reagimet e aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës për veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në Veri të vendit.
Gërvalla ka thënë se raporti i Kosovës me aleatët shkon shumë përtej punëve ditore që bëhen, duke kujtuar ndihmën e NATO-s për çlirimin nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit.
“Raporti i Kosovës me partnerët shkon përtej punëve ditore që ne po bëjmë. Kosova është storie suksesi e Perëndimit. Kosova është një storie suksesi e SHBA-së dhe Evropës sepse na u dashtë NATO që të ndalte gjenocidin dhe të sillte liri për njerëzit tonë. Prandaj raporti ynë shkon shumë përtej asaj që ne jemi duke bërë në disa pjesë të vendit”, ka thënë Gërvalla, raporton Express.
Kryediplomatja kosovare ka përmendur edhe çështjen e Urës së Ibrit, duke thënë se do të vazhdohet hapja e urave, sepse ato s’janë për të mbetur aty me simbole të vjetra të Sllobodan Millosheviqit në një qytet të ndarë.