Gjashtë vite nga vdekja e figurës ikonike të Islamit dhe kombëtarisë në Mitrovicë, mulla Asllan ef. Murati

Mulla Asllan ef. Murati ishte një nga figurat më të shqura që pati Mitrovica. Hoxha nga Zhabari për shumëkë ishte profesori, atdhetari, humanisti dhe veprimtari i çështjes kombëtare, shkruan “Mitropol”.
Ai njihej si një ndër hoxhallarët më të njohur në Kosovë, dhe aktivist i shquar i çështjes kombëtare.
Një ndër veprat më të mëdha të hoxhës, që do të mbahet mend, është se ai kishte arritur me vite të tëra t’i fshihte eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletini, nga pushtuesi serb, të cilat tashmë janë të varrosura në fshatin Boletin.
Si personalitet i edukuar dhe i shkolluar, me tipare intelektuale e kombëtare më se 46 vjet punoi dhe shërbeu si imam e ligjërues në Xhaminë e Zallit në Mitrovicë. Veç kësaj ai ka kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, dega histori-gjeografi. Më pastaj kryen Fakultetin Filologjik në Prishtinë, dega e Orientalistikës, ku mëson gjuhët arabe, turke dhe persishte.
Hoxha Asllan Murati ishte edhe përkthyes i veprave të shumta islame në gjuhë shqipe, në mesin e të cilave ka lënë në dorëshkrim “Sahihun” e Muslimit me 4 vëllime.
Ai ka qenë fillimisht anëtar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, pastaj anëtar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, pastaj anëtar i Kuvendit Suprem të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë, e në fund, edhe anëtar i Kryesisë Supreme të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë (Rijaseti), me seli në Sarajevë.
I ndjeri u largua nga kjo botë para gjashtë vitesh, në moshën 76 vjeçare, duke lënë pas vetes një bagazh të tërë veprash./Mitropol/








