Gjermani: Kosovari 14-vjeçar zgjohet nga koma pas disa muajsh
Një kosovar 14-vjeçar është zgjuar nga koma pas disa muajsh. Ai ishte në koma si pasojë e lëndimeve që kishte marrë kur kishte rënë në kontakt me kabllot e rrymës sipër hekurudhës, raporton “Merkur.de”.
Në fillim të korrikut, djaloshi ishte ngjitur sipër një vagoni të trenit në Wolfratshausen dhe kapi kabllon e rrymës sipër. Ai u godit nga rryma dhe ra nga një lartësi prej pesë metrave. 14-vjeçari ishte që nga atëherë në koma. Ai ka pësuar lëndime të rënda dhe djegie të mëdha trupore. Menjëherë ishte dërguar në klinikë në Munih me helikopter.
“U konstatua se i është djegur 80 për qind e sipërfaqes trupore”, kishte thënë zëdhënësja e policisë Sina Dietsch në ditën pas aksidentit.
Pas një operacioni emergjent jeta iu shpëtua. Por, ai u vendos në koma. Për kohë të gjatë, nuk pati deklaratë lidhur me gjendjen e djaloshit.
Të martën zëdhënësi i Policisë Federale të Munihut, Wolfgang Hauner, ka shpjeguar se kosovari është zgjuar nga koma.
Ai ka thënë se djaloshi ende po trajtohet për plagët e rënda që mori.
14-vjeçari ka qenë në një klinikë specialiste në Hannover për katër javë. Atje është trajtuar për plagët e djegies. Ai pas dy jave do t’i nënshtrohet një trajtimi tjetër në Hamburg.
Në mbrëmjen e aksidentit, kosovari ishte në hekurudhë me dy shokë tjerë 16-vjeçarë. Një nga ta mori lëndime po ashtu serioze, por jo të rrezikshme për jetë.
Zyra e prokurorit publik të Munihut kishte hapur procedurë penale ndaj tre djemve dhe nisi hetimet për ndërhyrje të rrezikshme në trafikun hekurudhor.
“Gjatë hetimeve, u bastisën shtëpitë për shkak se kishte dyshime se aksidenti ishte rezultat i një trendi në TikTok. Mirëpo, rezultoi se nuk ishte ashtu. Kështu që u ndalën procedurat ndaj tre djemve”, ka thënë zëdhënësi policor Hauner.